Rama: Së shpejti mbledhje e dy qeverive Shqipëri-Greqi

schedule13:45 - 20 Tetor, 2020

schedule 13:45 - 20 Tetor, 2020

Gjatë fjalës së tij kryeministri Edi Rama, në konferencën e përbashkët për shtyp me ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Dendias, njoftoi një mbledhje të dy qeverive, Shqipërisë dhe Greqisë, e cila sipas tij pritet të realizohet së shpejti.

Rama u shpreh besimplotë se do të përfundojë në mënyrë pozitive edhe heqja e ligjit të luftës.

“Më vjen keq për patriotët e detit, por duhet të gjejnë arsye të tjera për të shpallur patriotizmin se kjo e detit nuk është më çështje që të bëjnë propagandën e shtirur anti-greke dhe as elektorat patriotik. Të vetëvendosen në çështje të tjera. Kjo çështje tani do jetë në dorë të drejtësisë ndërkombëtare.

Kështu fokusohemi tek bashkëpunimi ekonomik, rajonal dhe për një mbledhje të parë të dy qeverive tona për tu marrë me çështje që kanë rendësi për njerëzit e zakonshëm, shqiptarët në Greqi dhe grekët këtu”, tha Rama.

Gjithashtu në konferencën e përbashkët për shtyp me ministrin e Jashtëm të Greqisë, Niko Dendias, Rama u shpreh se është rënë dakord që çështjen e detit ta trajtojnë në instancat ndërkombëtare.