Rama reagon sërish ndaj akuzave: I Zot të qash a të qeshësh, të dyndin me shpifje dhe të thonë bëj transparencë

schedule08:50 - 1 Nëntor, 2022

schedule 08:50 - 1 Nëntor, 2022

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish ndaj akuzave të opozitës lidhur me udhëtimet me charter.

Përmes një postimi në twitter Rama shkruan se vetëm këtu ndodh që opozita e rublave të shpifë e të gënjejë dhe pastaj kërkon të bëhet transparencë.

Sipas tij ajo që po kërkon opozita të bëjë çdo ditë është të helmojë shqiptarët me helm dhe shpifje.

I Zot të qash a të qeshësh, vetëm këtu bën vaki të të dyndin me shpifje dhe të të thonë bëj transparencë! Po si bëhet kjo transparenca kur u tregon shifrat dhe bëjnë sikur nuk kuptojnë?! Po kur thonë pse i bën reklamë Shqipërisë? Po kujt t’i bëj, kanaleve, portaleve apo rublave?!

Jemi pyetur shumë herë këto vite për avionin ALBANIA dhe i kemi dhënë informacionet, po tani u bashkuan hakerat iranianë dhe grupi Rubla Çorba, kështu që u ngrit tymi lart se helbete, duhet hedhur sa më shumë blozë, “S’ka asnjë faj Putini, çohu o popull se duhet rrëzuar regjimi!”

Lëre pastaj kur thonë me charter udhëtojnë vetëm sheikët e diktatorët, ndërkohë që tërë qeveritë e rajonit, se Europës po e po, kanë avionët e tyre përjashto Shqipërinë e Kosovën! Ne s’e blejmë dot,me qera s’e marrim dot,ndaj kemi blerë orë fluturimi me marrëveshje promocionale!

Po ku është hilja thonë se s’ka mundësi?! Ka si s’ka! Hilja është ashiqare fare tek përpjekja non stop për ta helmuar, çoroditur, nxitur për sherr e për konflikt këtë popull me shpifje sa më të përbindshme, nisur nga gjysëm të vërteta që janë edhe gënjeshtrat më të mëdha!”, shkruan Rama.

Opozita kërkoi një ditë më parë ngritjen e një komisioni hetimor për udhëtimet e kryeministrit jashtë Shqipërisë, ku sipas tyre shuma e shpenzuar arrin në 22 milionë euro. Madje ish-kryeminsitri Berisha kërkoi edhe dorëheqjen e kryeminsitrit Rama, pasi sipas tij ka abuzuar me taksat e qytetarëve shqiptarë.

/Abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!