Rama: Që prej të shtunës kemi një problem me Presidentin

schedule15:30 - 6 Nëntor, 2018

schedule 15:30 - 6 Nëntor, 2018

Gjatë seancës së jashtëzakonshme në Kuvend ku u votua shkarkimi i ish-ministrit Xhafaj, Kryeministri Edi Rama deklaroi se Presidenti Ilir Meta ka shkelur Kushtetutën me mosdekretimin e emrit të propozuar prej tij si ministër i Brendshëm. Kreu i qeverisë, ndërsa zbuloi detaje nga biseda e zhvilluar në fundjave me Metën, u shpreh se nuk i ka humbur shpresat se në ditët në vijim kreu i shtetit të reflektojë pavarësisht përfundimit të afateve ligjore.

E dinë përse i janë drejtuar kuvendit këtë të martë në seancën e jashtëzakonshme plenare të thirrur prej atyre vetë. I ka mbledhur dekreti i presidentit të republikës për shkarkimin e ministrit të brendshëm.

Edhe vetë Fatmir Xhafaj iu bashkua 74 votave të kolegëve për ta cliruar nga detyra që u dorëhoq, duke i hapur rrugë miratimit të propozimit të ri të kryeministrit Gjeneral Sandër Lleshit.

Por jo në detyrën e ministrit të brendshëm, por si zëvendësministër që i delegohen edhe detyrat e numrit një të ministrisë së brendshme. Një lëvizje e detyruar e kreut të qeverisë pasi presidenti vendosi të shkelë kushtetutën me mosdekretimit e propozimit të kryetarit të ekzekutivit. Kështu e argumenton kryeministri Edi Rama

“E pikërisht pse Kushtetuta nuk i njeh Presidentit të Republikës, as shprehimisht, as me nënkuptim, e lëre pastaj t’i ketë dhënë me ndonjë ligj të nxjerrë në pajtim me të, kompetencën për të refuzuar propozimet e Kryeministrit për anëtarët e kabinetit qeveritar, Presidenti Ilir Meta ka formuluar një letër refuzimi, pa asnjë referencë kushtetuese apo ligjore”.

Megjithatë thotë se nuk i ka humbur shpresat që presidenti të reflektojë edhe pse afatet ligjore kanë kaluar.

“Dhe do t’i japim ca ditë kohë, jo vetëm Presidentit të Republikës që ta bluajë këtë çështje dhe të punojë për të krijuar bindje të plotë, por dhe vetes për të hedhur hapin tjetër”.

Kryeministri nuk e kupton se çfarë nuk e bind Presidentitn pas referencave të shumta që i janë dërguar nga institucione të ndryshme.

“Në adresa të pavizituara ndonjëherë më parë nga postieri i Presidencës”.

Por mendja nuk mund t’ia ndalë aludimet.

“Sa një mendje e keqe mund të thotë, “ore, mos është pikërisht kjo pastërti kaq skëndërbegase që e shqetëson Ilir Metën?”

Në këtë seancë të jashtëzakonshme ka vendosur të zbulojë pak nga takimi konstruktiv që ka zhvilluar kokë më kokë me presidentin Meta.

“Mirë se të vijë zoti President dhe të na rrëfejë me dyer të mbyllura apo të hapura, vetëm me ne apo bashkë me gjysmën e familjes sonë politike, këtu në parlament, gjithçka që e ka mbajtur përbrenda me shumë gjasë pa arritur të ma thotë dot as mua në sy.

Po mos qoftë ajo që më kanë thënë mua, larg qoftë,  se çdo gjë mund ta përballoj, por një President qesharak për atdheun tim, nuk mund të përballoj dot”.

Pritshmëritë për këtë fjalim të kryeministrit nisën që të hënën kur ai vetë njoftoi se do të zbulonte më shumë mbi marrëdhënien e krisur Kryeministri-Presidencë.

Por në rreshtat e deklaratës në foltoren e parlamentit ishin ndërthurur lavdërimet për presidentin para kësaj situate dhe kritika për sjelljen e tij pas mosdekretimit të ministrit Sandër Lleshi.

Por dritën e shpresës se kjo marrëdhënie nuk do të thyhej ishte dekreti për emërimin e Helidon Bendos në krye të shërbimit informative shtetëror.

Këtë ndjesi të mirë kryeministri ia përcolli drejtëpërdrejtë Ilir Metës. Por pa lënë mënjanë këshillën e koduar për të ardhmen e bashkëpunimit.

“Ky është një moment delikat, sepse është vënë në pikëpyetje një ekuilibër i rëndësishëm institucional i vendit. Uroj me gjithë zemër që e gjitha kjo të mos behet me një qëllim që shkon përtej dekretit për gjeneral Sandër Lleshin.

Këtë ia thashë dhe Presidentit, shumë sinqerisht. Por koha mos e sjelltë që të më duhet ta ndaj me shqiptarët përse po e bej këtë urim sot”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!