Rama pyet qytetarët për “Ballkanin e Hapur”: Është apo jo në interes të Shqipërisë?

schedule15:13 - 26 Janar, 2022

schedule 15:13 - 26 Janar, 2022

Kryeministri Edi Rama ka publikuar në llogarinë e tij në Facebook pyetjen e fundit të pyetësorit të Këshillimit Kombëtar. Qeveria iu drejtohet qytetarëve rreth iniciativës së “Ballkanit të Hapur”, për të cilën i pyet nëse mendojnë që është në interes të Shqipërisë dhe shqiptarëve apo jo.

“Aktualisht ekzistojnë shumë barriera lidhur me lëvizjen e njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit në vendet e Ballkanit Perëndimor. Krijimi i Ballkanit të Hapur do të rrëzonte barrierat e lëvizjes së lirë, sipas modelit evropian, duke i sjellë Shqipërisë dhe shqiptarëve avantazhe të reja ekonomike e sociale, si dhe do të promovonte më tej paqen në rajon,” është kjo mënyra në të cilën i përcillet iniciativa qytetarëve përpara se t’u shtrohen pyetjet  me anë të të cilave mund të japin mendimin e tyre rreth “Open Balkans”.

EDI RAMA NË FACEBOOK

“Ballkani i Hapur”, një iniciativë rajonale e përbashkët mes qeverisë së Shqipërisë asaj të Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë  nuk gëzon mbështetjen e të gjithë faktorëve politikë dhe jo vetëm në vend.

Ish-kryeministri Sali Berisha e ka cilësuar një nismë fantazmë që shkon në kurriz të kombeve të Ballkanit, kurse kreu i shtetit Ilir Meta e ka cilësuar si një nismë që shpalos një politikë përjashtuese si dhe përpiqet të rivalizojë procesin e Berlinit.

Nisma nuk gëzon mbështetjen e Kosovës, qeveria e së cilës ka deklaruar disa herë që Ballkani nuk mund të jetë i hapur për sa kohë Serbia nuk e njeh Kosovën si të pavarur. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!