Kryeministri Edi Rama ka bërë thirrje për një qasje të re në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore në vend, gjatë një mbledhjeje me kryebashkiakët.
Ai theksoi se Ministria e Kulturës dhe Turizmit ka nisur një proces për muzealizimin e godinave me vlera historike, veçanërisht në qytetet e vjetra ku shumë prej tyre rezultojnë të pabanuara ose në gjendje të degraduar.
Sipas Ramës, synimi është që këto objekte të merren në administrim nga shteti dhe të kthehen në hapësira muzeale, duke rritur kështu ofertën turistike dhe duke nxjerrë në pah pasuritë kulturore të Shqipërisë.
“Sa u takon muzeve. Ministria e Kulturës dhe Turizmit ka nisur një proces shumë të bukur për të muzeuar të gjitha godinat kulturore. Në çdo bashki që ka në zemër të vet një qytet të vjetër, ka shtëpia me vlera të rëndësishme për trashëgiminë kulturore, që janë të pabanuara ose të rrënuara, procesi do jetë marrja e pronës nga shteti dhe muzealiteti i tyre. Në Tiranë kemi disa prej tyre. Analizoini, shikojini dhe përcaktoni si procedura për të hyrë në këtë proces.
Kemi shumë gjëra që mund të ekspozojmë. Jemi një vend që ka në zemër të vet turizmin. Kemi fatin që e kemi turizmin të përqendruar në të gjithë territorin, por duhet të rrisin atraksionet. Mund të kemi muzeume të vogla për produktet. Ne nuk e kemi një muze të rakisë, verës apo vajit të ullirit shqiptar. Mund të shkohet në çdo drejtim që ka interes. Identifikoni shtëpitë që kanë potencialin për t’u bërë muze dhe në ndërkohë me njerëz të ditur në qytetet tuaja ndërtoni një plan muzealizimi të shtëpive të vjetra”, tha Rama.


