Kryeministri Edi Rama tha në konferencën me gazetarët në të gjithë Europën ekziston një lloj tensioni në bisedimet për sigurimin e vaksinës anti-COVID. Megjithatë ai theksoi se nuk heq dorë për sigurimin e dozave të tjera.
“Kemi pasur një diskutim shumë të gjatë me ata që na mikpritën për çështjen e vaksinës. Do ju kisha marrë me vete në xhep që ju të dëgjonit se çfarë tensioni është për Europën dhe të gjitha vendet. Unë nuk tërhiqem nga kjo çmenduri dhe do bëj që të kemi shumë shpejt sasira të konsiderueshme.
Ne kemi nevojë për një numër të konsiderueshëm që të vazhdojmë këputjen e infeksionit. Brenda mesit të marsit do kemi mbaruar me mjekët dhe infermierët dhe do fillojnë mësuesit me dozat AstraZeneca që na janë premtuar nga COVAX”, tha Rama.
Ai tha se është vaksinuar për të dhënë shembullin e besueshmërisë, por shtoi se mendon se politikanët në Shqipëri duhet të vaksinohen të fundit.
“Unë jam vaksinuar sepse kam bërë atë që kanë bërë të gjithë kolegët e mi në Europë dhe botë. Nuk është për të siguruar veten. Unë mendoj që politikanët në Shqipëri duhet të vaksinohen të fundit fare. Kaq e thjeshtë është”, u shpreh kryeministri.
Kreu i qeverisë ironizoi edhe premtimin e kryedemokratit Lulzim Basha për vendosjen e një pulle në derën e bizneseve të vogla për të ndaluar inspektorët të hyjnë brenda.
“Kjo pulla në dyqan që do ndalojë inspektorët të hyjnë brenda më kujtohet nga koha e fushatës për bashkinë e Tiranës. Realisht është fantastike që të shohësh se premtohen ose gjërat që janë premtuar më parë. Vetëm ndryshon kursi i këmbimit ose gjëra që janë bërë. Premtohet TVSH 6% për turizmin. Premtohet taksë e sheshtë si përpara kur taksa është zero. Premtohet energji e rinovueshme kur energjia jonë është 100% e rinovueshme.
Flitet për rritje 15% të turizmit. Kjo pulla te dera që do ndalojë inspektorët është spektakël i gjumësisë. Ne do t’i heqim inspektorët fare sepse ne flasim për fiskalizim të të gjithë sistemit. Flasim për trurin elektronik të shërbimit. Ti flet për pullë te dera. Nuk i vë faj me atë zinxhir që i kanë vënë në qafë dje, ia qaj hallin”, tha Rama./mv.abcnews.al