“Rama po kërcënon biznesin”, Vokshi: Mos u trembni!

schedule19:00 - 29 Qershor, 2019

schedule 19:00 - 29 Qershor, 2019

Ish-deputetja e PD-së Albana Vokshi në një deklaratë për media është shprehur se “kriminelët e pushtetit, të veshur me kostumin e taksidarit, po vendosin gjoba në biznese që t’i detyrojnë të dalin në votimet e paligjshme dhe kriminale të Partisë Socialiste”. 

Më tej gjatë deklaratës së saj Vokshi është shprehur se “gjobat që vendosin sot taksidarët e Edi Ramës dhe veglave qorre të pushtetit të tij të inkriminuar, do të konsiderohen gjoba politike. Ato do të anulohen dhe gjobëvënësit do të goditen ashpërsisht”. 

DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, ALBANA VOKSHI

Dhuna shtetërore e pushtetit në ikje të Edi Ramës nuk po kursen asnjë dhe asgjë.

Në shënjestër të dhunës shtetërore të regjimit kriminal rilindas janë vënë edhe bizneset dhe mijëra të punësuarit e këtij sektori.

Në tentativën e dëshpëruar për të zgjatur komën e pushtetit të vjedhur me krimin, Edi Rama po kërcënon biznesin nëpërmjet gjobave dhe formave të tjera të presionit tatimor.

Kriminelët e pushtetit, të veshur me kostumin e taksidarit të pushtetit, janë duke trokitur derë më derë në çdo biznes që t’i detyrojnë të dalin në votimet e paligjshme dhe kriminale të Partisë Socialiste.

Janë me qindra rastet e denoncuara nga bizneset, kur taksidarët dhe tatimorët e Edi Ramës kanë vendosur gjoba të rënda, që rrezikojnë falimentimin e shumë bizneseve që nuk i binden urdhrit të pushtetit të fituar me votën e vjedhur dhe grabitur nga krimi.
Partia Demokratike u bën thirrje bizneseve që të mos përkulen para kërcënimeve të kriminelëve të veshur me pushtet.

Gjobat që vendosin sot taksidarët e Edi Ramës dhe veglave qorre të pushtetit të tij të inkriminuar, do të konsiderohen gjoba politike.

Ato do të anullohen dhe gjobëvënësit do të goditen ashpërsisht.

Asnjë gjobë politike dhe e paligjshme e pushtetit të Edi Ramës, nuk do të njihet dhe do të anulohen nga një qeveri europiane që do të vijë me zgjedhje të lira, pa kriminelë e taksidarë në kutitë e votimit.

Liria ekonomike për të punuar pa frikë nga bandat e taksidarëve, punësimi dhe mirëqenia për çdo shqiptar, janë prioriteti ynë numër 1.

Bashkë do t’i japim fund padrejtësisë, dhunës shtetërore, korrupsionit të regjimit kriminal. Së bashku, do ta çlirojmë biznesin dhe ekonominë shqiptare.
Ndaj ju bëjmë thirrje të gjithë bizneseve!

Mos u trembni!
Mos u dorëzoni para skenarëve kriminalë të pushtetit, që do varroset këtë të dielë!

Refuzojeni Edi Ramën!
Braktiseni Edi Ramën!
Bojkotojeni Edi Ramën!

Sfidojeni dhe mos iu përkulni presionit të tij për të dalë në votimet farsë!

Filmoni, regjistroni, fotografoni dhe denonconi cdo dhunim, presion, dhunë, fallsfikim, mashtrim që regjimi i tij bën.

Të bashkuar ne jemi shumica, ne jemi forca dhe garancia e ndryshimit që po vjen.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!