Titulli i Gafur Mazrekut/ Rama: Turp, ç’janë këta këshilltarë që s’na pyesin

schedule13:42 - 18 Qershor, 2018

schedule 13:42 - 18 Qershor, 2018

Kryeministri Rama e konsideroi të turpshëm dhe provokim të papërgjegjshëm vendimin e Këshillit Bashkiak të Hasit për të shpallur “Qytetar nderi” Gafur Mazrekun. Rama i ka kërkuar prefektit të qarkut të mos e firmosë këtë vendim.

Kryeministri Rama e konsideron vendimin e keshillit bashkiak te hasit per shpalljen e Gafur Mazrekut “Qytetar nderi”, një provokim të papërgjegjshëm, të kujtdo që e ka propozuar dhe ka miratuar.

Në një njoftim të zyrës së shtypit të shefit të qeverisë, thuhet se kryeministri Rama i ka kërkuar Prefektit të Kukësit refuzimin e firmosjes së këtij vendimi.

Ndërkohë edhe në mbledhjen e grupit parlamentar, Rama e ka dënuar këtë shfaqje të shëmtuar papërgjegjshmërie të këshilltarëve të Hasit, pavarësisht se në Këshillin Bashkiak të Hasit, sipas njoftimit të kryeministrisë, Partia Socialiste ka vetëm një këshilltar, i cili nuk ka votuar pro vendimit.

Turp! Mazreku nuk duhet të ishte propozuar asnjëherë për titullin “Qytetar Nderi”, mësohet të kenë qenë fjalët e artikuluara nga kryeministri Edi Rama gjatë mbledhjes së grupit të Partisë Socialiste.

Ky reagim erdhi menjëherë pas miratimit të vendimit që i jep Gafur Mazrekut titullin “Qytetar Nderi i Hasit”. Katër ditë më parë edhe selia blu denoncoi këtë propozim dhe i kërkoi Edi Ramës tërheqjen sa më parë nga nderimi i atentatorit të liderit të Dhjetorit ‘90, Azem Hajdari.

Pavarësisht këtyre deklaratave, me 13 vota pro dhe 1 abstenim, Mazreku u shpall qytetar nderi me motivacionin “Personalitet intelektual, për kontributin e pashoq në pushtetin vendor”.

Për Nënkryetarin e Bashkisë, socialistin Flamur Thaçi, ai ka kontribuar për zonën. Ndërsa Miftar Dauti, kryetar i këshilltarëve të djathtë në Has, tha se vendimi është i jashtëligjshëm, edhe pasi është marrë pa prezencën e këshilltarëve demokratë, të cilët i bëjnë thirrje Prefektit të mos e miratojë këtë vendim.

Më 18 Shtator 1997, Gafur Mazreku qëlloi me armë mbi deputetin Azem Hajdari, brenda ambienteve të Parlamentit të Shqipërisë, duke e lënë të plagosur. Pas këtij atentati, Mazreku u dënua me 12 vite burg./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!