Rama për “Die Welt”: Lëvizjet në qeveri? Nevojë për energji të re

schedule14:23 - 24 Janar, 2019

schedule 14:23 - 24 Janar, 2019

Në një interviste per gjermanen “Die Welt”, kryeministri Rama e krahason qeverinë e tij me kombëtaren e futbollit gjerman, kur thotë se të dyja kanë nevojë për energji të reja. Rama flet gjithjashtu edhe për qasjen e shqiptarëve ndaj Europës.

Edi Rama nuk ndjehet i kënaqur me veten! Ja thotë gazetares së gjermanes “Die Welt” për të cilën ka dhënë një intervistë në prag të çeljes së një ekspozite në Berlin.

“Të mbash postin e kryeministrit është një punë e vështirë. Por nëse do isha i kënaqur, nuk do isha i duhuri për këtë post. Është diçka që duhet të shkojë më tej. Edhe nëse vetë do isha i kënaqur, nuk do ndalesha kurrë, nuk më shkon për shtat. E njëjta gjë është në art. Unë vazhdoj të vizatoj.”

Qëllimi i vizitës në Gjermani është arti, por Edi Rama flet dhe për politikë, pasi thotë se për të janë ekzistenciale të dyja, ndonëse nuk mund të krahasohen. Kryeministri tregon se ka ndryshuar 70 % të kabinetit qeverisës dhe shpjegon arsyen e kësaj lëvizjeje.

“Herë pas here kemi nevojë për energji të re, për lojtarë të rinj në fushë, në mënyrë që të mos bëjmë të njëjtin gabim si kombëtarja gjermane e futbollit pas fitores së Kupës së Botës. Që u eliminua në mënyrë të turpshme që në raundin e parë pas katër vitesh.”

Pyetjes se çfarë mund të bëjmë tjetër për demokracinë në Europë kryeministri Edi Rama i përgjigjet me vlerësime për kancelaren Angela Merkel.

“Deri më tani kemi qenë jashtëzakonisht me fat pasi kemi punuar e jetuar në një kohë me kancelaren gjermane, Angela Merkel. Po, bashkë me Angela Merkel dhe Gjermaninë. Unë sinqerisht shpresoj që ajo të qëndrojë me ne, pasi vizioni i saj nuk humb kaq lehtë. Shpresoj shumë që Gjermania ta kuptojë se nuk është vetëm përgjegjëse për të ardhmen e fëmijëve gjermanë, por edhe të Europës dhe më gjerë. Bëhet fjalë për çështje pushteti mbi të gjitha.”

Por cila është qasja e popullsisë shqiptare në këtë aspekt? Kryeministri Rama thotë:

 “Ende e duam Evropën. Jemi gjithmonë të gatshëm për të dhënë PO. Jemi akoma të dashuruar pasi nuk jemi martuar akoma. Pas martesës do e shohim nëse do jemi ende të lumtur”/ abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!