Rama për “Detin”: Çështjen e hapi Shqipëria, marrëveshja e parë u bë nga plaçkitësit e vendit

schedule11:42 - 21 Tetor, 2020

schedule 11:42 - 21 Tetor, 2020

Kryeministri Edi Rama gjatë konferencës së sotme me fokus infrastruktutrën ka folur përsëri edhe në lidhje me çështjen e ndarjes së kufirit detar me Greqinë.

Rama përsëriti se çështjen e detit e ka hapur Shqipëria dhe jo Greqia, pasi kjo e fundit nuk kishte asnjë pretendim pas marrëveshjes së bërë nga qeveria e mëparshme kur kryesohej nga Sali berisha.

Sipas kryeministrit, zgjidhja për të çuar çështjen e detit në Gjykatën Ndërkombëtare, është zgjidhja ideale për Shqipërinë, që sipas tij, kërkon çfarë është e drejtë.

Në fjalën e tij Kryeministri nuk ka kursyer ironinë, duke i quajtur të gjithë ata që sipas tij shqetësohen për detin, si plaçkitës që duan të furnizojnë injorancën.

“Çështjen e detit nuk e ka hapur Greqia por Shqipëria. Për Greqinë çështja e detit ka qenë e mbyllur me marrëveshjen e bërë me Saliun, me Lulin dhe me Ilir Metën. Greqia nuk ka pasur asnjë pretendim se sa aq sa mori nga ajo marrëveshje.

Atë çështje e rihapa unë sëbashku me PS dhe me disa aleatë të asaj kohe. Në gjykatën kushtetuese ka shkuar PS, GJK e ka rrëzuar 9 me 0 atë kërkesë dhe çështja është rihapur, falë këmbënguljes dhe durimit e vullnetit tonë ne komunikimin me palën tjetër dhe falë vizionit me të ardhmen e përbashkët.

Ministri i jashtëm Dendias dhe Mitsotakis ka zgjedhur të vërë në dispozicion të gjithë vullnetin e tij të mirë, për të zgjidhur të gjithë çështjet pezull me Shqipërinë.

Pala greke ra dakord me ne, për ta çuar çështjen përpara drejtësisë ndërkombëtare në duart e një gjykate që ka gjithë eksperiencën për të zgjidhur këtë problem, kjo është zgjidhje ideale për ne, që natyrisht në bazë të gjithë protokolleve do ulemi të përgatitemi siç ulet procedura për të arritur një zgjidhje të drejtë, çfarë kërkojmë ne është e qartë, ne kërkojmë një marrëveshje të drejtë, marrëveshja e kaluar ishte dëm për ne.

Të tjerat janë skandale mendore dhe të liga që furnizojnë injorancën me qëllim në funksion vetëm të pushtetit të ca mediokrëve që duan me çdo kusht plaçkë në Shqipëri.

Këtyre nuk i shkon një sekondë t’ju prek gjumin as deti, as ajri, as toka por vetëm plaçka. Janë plaçkitës të lindur e kanë treguar sa herë kanë pushtet, kështu që kush bie pre e tyre është dembel nga trutë e kokës. Mos harroni kornizën ekonomike tani”, u shpreh kryeministri.

n.d./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!