Rama-pedagogëve: Mos prisni të bashkohem me studentët e të vij te ju

schedule18:12 - 18 Janar, 2019

schedule 18:12 - 18 Janar, 2019

Qeveria ka nisur të prezantojë përpara grupeve të interesit Paktin Për Universitetin. Kryeministri Edi Rama kërkoi që të mos shënjestrohen studentët, por pedagogët të ulen e t’i zgjidhin kërkesat e tyre, në të kundërt edhe ai vetë tha se do të jetë i detyruar që do t’i bashkohet protestës studentore.

Problemet në universitete bënë bashkë qeveri-pedagogë e student. Një nga një u ngritën dhe dhanë mend se si mund të arrihet zgjidhja e situatës që u bë e qartë falë protestës së studentëve.

Kryeministri Edi Rama ishte ulur për të dëgjuar më shumë se sa për të folur, por nuk iu durua kur dëgjoi parafolësit.

“Po bëj një ndërhyrje të shkurtër. Qeveria është përqendruar me të gjithë kapacitetin e vet për t’i dëgjuar studentët. Pyetja ime është, po ju zonjë, i dëgjoni studentët dhe sa i dëgjoni studentët? Nuk e kam me ju personalisht, por e kam me shumë nga ju që duhet ta thoni qartë, çfarë doni të bëni ju me plagjiaturat. Nuk mund ta lini si një top mes studentëve dhe qeverisë”.

Jo vetëm kaq por përsëriti ndjesinë që I dha protesta e që ska ndërmend ta lërë të shuhet.

“Ne dimë çfarë duan studentët dhe do i bëjmë një për një. Se çfarë doni ju, ne nuk e kemi kuptuar akoma, ose më saktë, unë e kam kuptuar, por nuk kam ndërmend ta them akoma. Mos prisni ditën, kur do bashkohem unë me studentët e të vij përballë jush dhe t’u them studentëve se çfarë, në fakt, ju nuk doni. Nëse unë e kam gabim këtë që mendoj, aq më mirë akoma. Ju bëhuni bashkë tani dhe ndajeni këtë punë. Do të mbarojë historia e doktorëve të shkencave që vetëm me shkencën nuk kanë lidhje, apo nuk do mbarojë?”

Kjo është koha e ndarjes së detyrave dhe marrjes së përgjegjësive u kujton ai pedagogëve.

“Unë këtë protestë nuk e lë, sikur të ngelem vetëm. Kuptojeni mirë këtë gjë. Jam i gatshëm t’i mbaj të gjitha përgjegjësitë, edhe për borën që bie, por për budalla, njeri dot mua nuk më bën”.

Draft Pakti për universitetin është publikuar në faqjen zyrtare të kryeministrisë. Një draft fillestar që është i hapur për çdo mendim e koment të studentëve, por ai shërben si pikënisje për një dialog gjithëpërfshirës me studentët. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!