Paralelisht me SPAK, qeveria do të “hetojë” vetë çdo sinjalizim për zyrtar të korruptuar që kanë prioritet interesin vetjak përballë shërbimit për qytetarët. Kryeministri Edi Rama tha në takimin me deputetët e rinj dhe të vjetër se nuk do presin që SPAK të merret me çdo vatër dhe nuk do mbyllin sytë para rasteve të tilla, të cilat tha se faji është i individit por turpi i mbetet të gjithëve në rast se nuk vendoset vija e kuqe.
“Duhet të jetë e qartë për të gjithë ne se kur dikush që e ka në ballë logon e PS ekspozohet nga drejtësia si përfitues i të mirave publike faji është i tij por turpi është i të gjithëve ne nëse nuk e vendosim qartë vijën e kuqe. Kjo skuadër nuk do jetë kurrë mburoja e askujt që cenon qëllimet e PS. Kjo parti nuk mban përgjegjësi pse një individ shkel në flamurin e saj të vlerave dhe parimeve por mban përgjegjësi sa drejtë reagon duke u distancuar nga akti i tij dhe ai vetë kur hyn drejtësia.
Me aq pak se kemi mundur të shohim nga mjergulla opozitare nuk duket se PD ka nxjerrë ndonjë mësim nga humbja e pestë radhazi dhe mund të vazhdojë kështu drejt humbjes së gjashtë dhe shtatë. Akuzat dhe denoncimet nuk kanë për të reshtur. Ne duhet të jemi të vëmendshëm ndaj çdo akuze publike për të verifikuar çdo gjë dhe për të ndarë me objektivitet shumicën e dokrrave. Në këtë pikë nuk do ketë asnjë kompromis për askënd dhe për asnjë arsye. Për çdo kompromis që me duart tona përgatisim disfatën e mandatit të tretë që duhet të jetë një pastrim i mëtejshëm i organeve të drejtësisë. Duhet të shoqërohet me një ofensivë frontale.
Nuk do presim që SPAK të merret me çdo vatër. Do jemi kërkues, hulumtues dhe grumbullues faktesh dhe prova duke veshur me armaturë edhe me ligj të veçantë dhe duke mbyllur në një kohë të shpejtë rrethin e shërbimeve digjitale për publikun. Do nxjerrim së shpejti elektronikisht në pah edhe falë qytetarëve të gjitha pikat ku ngecin shërbimet e shtetit për qytetarin dhe bizneset. Do ketë përfshirje më të madhe të partisë dhe grupeve të internetit. E drejta për të shërbyer triumfojë në raport me drejtën e marrë arbitrarisht për t’u shërbyer interesave vetjak”, tha Rama. m.v/abcnews.al