Rama paralajmëron gazetarët: Nuk do legjitimohet liria e shkeljes së normave etike sy më sy në praninë time

schedule11:21 - 3 Korrik, 2022

schedule 11:21 - 3 Korrik, 2022

Gazetarët kanë paralajmëruar protestë përballë kryeministrisë më 4 korrik.

Shkak është bërë vendimi që kryeministri Rama mori ndaj gazetarit Klevi Muka, të cilin e çoi në “riedukim” dhe i ndaloi pjesëmarrjen në konferencat e tij për 3 muaj.

Përmes një postimi në Twitter,  kryeministri Rama ka paralajmëruar gazetarët se nuk do lejojë që “të legjitimohet liria e shkeljes së normave etike sy më sy në praninë e tij.”

Rama: E përshëndes si shprehje lirie sulmin e disave,që në emër të lirisë së medias kërkojnë legjitimim për lirinë e shkeljes së normave etike deri brenda konferencave të mia për shtyp, sepse jashtë tyre tanimë kjo liri është e legjitimuar plotësisht! Por kërkesa s’mund të plotësohet. Jemi tërhequr nga përpjekja për ta normuar ligjërisht lirinë e shpifjes dhe të fyerjes, që në epokën e rrjeteve sociale ka marrë përmasa katastrofike! Nuk e kemi bërë as nga frika, as nga presionet po si reagim konstruktiv ndaj kërkesës së komunitetit mediatik për vetërregullim. Ku është vetërregullimi? Nejse, do ta presim pa shpresë se do vijë! Por ndërkohë nuk ka për të ndodhur që të legjitimohet liria e shkeljes së normave etike sy më sy në praninë time. E kam ndryshuar ka kohë qasjen time, jo se janë zhdukur kazanët po se kam reaguar ndaj kritikave.

Por ja që asgjë s’ka ndryshuar nga ana tjetër, përkundrazi, megjithëse asnjë gazetari e asnjë medieje nuk i ka hyrë asnjë gjemb në këmbë nga kjo qeveri dhe megjithëse disponimi ndaj pyetjeve e kërkesave për informacion ka qenë maksimal, janë shtuar shpifjet e është ulur rankimi! Si përfundim: Shpifni,gënjeni,sajoni,shkruajeni e fliteni shqipen keq sa të doni, sepse askush nuk do t’ju thotë “plaç”,po mos prisni që dhe kur vini për të pyetur mua të ushtroni publikisht në mënyrë të përsëritur lirinë e shkeljes së etikës dhe përsëri të jeni të mirëseardhur!

Klevi Muka u “dërgua në riedukim nga kryeministri” pas pyetjes që i bëri ministres Olta Xhaçka gjatë një konferencë të përbashkët për shtyp.

Debati:

Gazetari: Zonja ministre kam një pyetje vetëm për ju, në 29 prill ka hyrë në fuqi Kodi i ri Etik për Këshillin e Ministrave, i cili ndalon dhe parashikon sanksione deri në largim nga detyra për ministrat që e shkelin. Një nga pikat është që ministrat nuk duhet të takohen me biznesmenë dhe të takohen vetëm në kushte kur janë në prani të dy punonjësve të administratës. Ju e keni zbatuar këtë pikë, a e keni takuar bashkëshortin tuaj biznesmen dhe investitor strategjik në shoqërinë e punonjësve të administratës apo e keni shkelur?”.

Rama: Tani dëgjo, tani këtu përgjigjen do ta jap unë, do kalosh në riedukim si Ambrozia në tre muajt e ardhshëm, nuk je i mirëseardhur në asnjë konferencë shtypi.

Gazetari: Zbatimi i Kodit Etik për çfarë është bërë? Kodi Etik a do zbatohet apo jo, nuk e kuptoj se çfarë ka këtu, ju e keni thënë që do ketë sanksione, e keni thënë kur keni prezantuar kabinetin e ri qeveritar.

Rama: Kjo është një tjetër shkelje e Kodit Etik të gazetarit në një konferencë shtypi, që vazhdon me mikrofon dhe mban fjalime, dhe po të them që siç e pe me Ambrozian, komunikimi ishte perfekt… për pyetje të përsëritura pa asnjë etikë, ka një proces që quhet rieduktim, tre muaj, përgjigjen e radhës do ta marrësh pas tre muajsh, në konferencën e tetorit je i mirëpritur dhe shpresoj dhe i riedukuar për të marrë përgjigje.

/Abcnews.al/