Rama ngre zërin para grupit për emërimet. Deputetët e PS ankohen për sjelljen e ministrave

schedule14:10 - 30 Tetor, 2017

schedule 14:10 - 30 Tetor, 2017

Në mbledhjen me dyer të mbullura të grupit parlamentar socialist, Kryeministri Rama ka ngritur zërin ndaj deputetëve të tij përsa i përket ndërhyrjeve për emërimet në administratë dhe cilësisë së kandidaturave. Nga ana tjetër, edhe deputetët janë ankuar për sjelljen e ministrave dhe mungesën e komunikimit me ta. Kur kamerat e ERTV-së u fikën, Kryeministri ngriti zërin me deputetët e tij. Burime nga mbledhja e grupit parlamentar socialist, bëjnë të ditur se gjatë pjesës jo mediatike të diskutimit, Rama është treguar mjaft i ashpër dhe me tone të larta ka kërkuar që të mos ketë ndërhyrje për emerimet në administratë. “Mos të dëgjoj më të fusni drejtorë dhe shefa marangozë, jo këngëtarë në vend të elektriçistave në OSHEE”, citohet të jetë shprehur Rama me tone të nervozuara. Pasi kryeministri u largua mbledhja ka vijuar dhe këtu deputetët kanë kthyer reston. Disa prej tyre janë ankuar për marrëdhënien jo të mirë që kanë me ministrat. Këta të fundit janë akuzuar se nuk u përgjigjen as për çështje ligjore, ndonëse kanë firmosur një marrëveshje bashkëpunimi mes grupit dhe Qeverisë. Mungesa e komunikimit të disa ministrave është krahasuar me një sjellje “si prej pronari firmash” nga deputetë të caktuar që nuk i kursyen ankesat ndaj anëtarëve të kabinetit qeveritar. Shqetësimi për emërimet që kishte nervozuar Kryeministrin, dukej se ishte real. Pak pas mbledhjes, ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, njoftoi shtyrjen me 15 ditë të kandidaturave për 35 zyrat e Hipotekave, drejtorët e të cilëve u larguan pak kohë më parë nga puna. Ministrja shpjegoi se nëse i njëjti problem i cilësisë së kandidatura do të haset edhe për drejtorët e rinj të burgjeve, do të ndiqet e njëjta praktikë se me Hipotekat duke shtyrë konkursin.

 

https://youtu.be/neiVFe_yhe4

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!