Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim zyrtar në Barcelonë, ku është pritur me nderime nga Dhoma e Tregtisë së Katalonjës.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama ka theksuar ndryshimin e perceptimit për Shqipërinë në Spanja, duke e krahasuar të shkuarën, kur vendi shihej negativisht, me situatën aktuale ku Shqipëria konsiderohet një ndër destinacionet më të preferuara turistike për të rinjtë spanjollë.
Ai nënvizoi gjithashtu se marrëdhëniet dypalëshe mes dy vendeve janë në nivelin më të mirë historik.
“Barcelonë, ku u pritëm me nderim të veçantë nga Dhoma e Tregtisë së Katalonjës, e ku u ndjemë krenarë për respektin dhe interesimin për Shqipërinë, emri i së cilës kur vije në Spanjë deri jo shumë vite më parë ishte sinonim i një njolle të errët në hartën e Europës, ndërsa sot është emri i një prej destinacioneve të preferuara turistike të rinisë spanjolle, ndërkohë që marrëdheniet shtetërore me Spanjën s’kanë qenë kurrë më të mira”, ka shkruar kryeministri Rama.


