Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë në Komitetin Rajonal për Evropën i Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Synimi i qeverisë është ulja e shpenzimeve personale për kujdesin shëndetësor në nivelin e 35 përqind deklaroi kryeministri Rama.
Ka një yll polar në politikën e shëndetësisë së qeverisë, ai është mbulimi universal shëndetësor, deklaroi kryeministri Edi Rama në takimin vjetor të Komitetit Rajonal për Europën i Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
“Deri pak vite më parë, një e pesta e popullatës, ose 600 mijë qytetarë të pasiguruar ishin të përjashtuar nga mbulimi universal shëndetësor. Por jo më. Sot, çdo qytetar shqiptar, i siguruar ose jo, gëzon këtë të drejtë”.
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) e ka mirëpritur kontrollin e përvitshëm mjekësor bazë, pa pagesë, check up-in, për personat e moshës nga 35 deri në 70 vjeç tha kreu i qeverisë shqiptare.
“E njëjta vlen edhe për vizitat nga mjeku i familjes, një shërbim pa pagesë për çdo person. Programi ynë Pa duhan është vlerësuar gjerësisht nga OBSH-ja, që i konsideron “përpjekjet tona energjike si themelore në mbrojtjen e shëndetit publik nga epidemia e duhanpirjes”.
Një tjetër politikë të suksseshme sipas kryeministrit Rama është heqja e së ashtuquajturës “taksë mbi sëmundjen”, TVSH-ja prej 10 për qind mbi ilaçet.
“Sëbashku me politikat tona të reja dhe negociatat lidhur me çmimin e barnave, kjo ka dhënë rezultate të menjëhershme duke ulur çmimin e tyre me 30 përqind.
Të gjitha këto reforma kanë ulur shpenzimet personale (buxhetin individual) për kujdesin shëndetësor nga 57% të totalit në 43% dhe synimi është që deri në fund të mandatit tonë të ulen në nivelin 35%, sa mesatarja e vendeve të OECD-së”.
Komiteti Rajonal për Europën i Organizatës Botërore të Shëndetësisë diskutoi raportin vjetor për Europën dhe sfidat në implementimin e objektivave në fushën e shëndetësisë të Axhendës 2030 për Zhvillimin e Qëndrueshëm.
Kryeministri Rama shoqërohej nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu. /abcnews.al