Rama në Shkup: Të bashkëpunojmë për të ardhmen dhe për rajonin

schedule09:57 - 22 Janar, 2024

schedule 09:57 - 22 Janar, 2024

MAQEDONI E VERIUT- Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë qëndrimit në Shkup, ka dhënë një mesazh të shkurtër në hyrje të takimit mes liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësuesve të BE dhe SHBA.

Ai theksoi se kjo është një mundësi shumë e mirë që vendet e Ballkanit Perëndimor të punojnë së bashku. Sipas kryeministrit, një bashkëpunim rajonal do të thotë një e ardhme më e mirë për të gjitha vendet.

Shefi i qeverisë, përsëriti thirrjen që nevojat e qytetarëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor duhet të jenë të parat duke shtuar se “historitë e ndasive” duhet të lihen për më më vonë.

Më duhet t’ju them se ky është një takim vërtetë shumë i rëndësishëm, sepse ne jemi këtu për të ndarë mendimet tona me përfaqësuesit e Bashkimit Europian dhe administratës amerikane për hapin e madh që ne mundet dhe duhet të ndërmarrim, i cili na afron më shumë Bashkimit Europian. Bëhet fjalë për Planin e Ri të Rritjes dhe integrimin në tregun e brendshëm të BE.

Kjo e fundit ka qenë e mundur deri sot vetëm për shtetet anëtare të Bashkimit Europian.

Prandaj ky është një ndryshim i rëndësishëm dhe një mundësi e shkëlqyer, e cila nuk duhet humbur dhe ja pse është thelbësore që ne t’ia dalim të punojmë së bashku, të gjashtë shtetet e Ballkanit dhe është esenciale që të vendosim qytetarët tanë të parët a ta lëmë politikën e historinë anash. Sepse çfarëdolloj gjëje që do të bëjmë dhe nëse do mundemi ta bëjmë gjatë kësaj kohe për të përfunduar detyrat në muajt në vijim, do të përcaktojë sesi do të jenë vendet tona në fund të kësaj dekade.”, ka thënë Rama në një fjalim të shkurtër të mbajtur para takimit me liderët e Ballkanit Perëndimor në Shkup./ n.m.abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!