Rama në Samitin e NATO-s: Çfarë më thanë Trump, Merkel e Macron

schedule15:08 - 4 Dhjetor, 2019

schedule 15:08 - 4 Dhjetor, 2019

Kryeministri Edi Rama, i cili po merr pjesë në Samitin e NATO-s në Londër, doli në deklaratë ku tha se gjithë Evropa e bashkuar do mbështesë shqiptarët.

“Reagimet e para janë pozitive, ne do punojmë akoma dhe më shumë. Përtej dallimeve dhe kundërshtive, Evropa është e gjitha e bashkuar të mbështesë shqiptarët për të kaluar këtë situatë. Po bëjmë një punë shumë intensive, kemi marrë shumë ndihma. Të mos vazhdojë historia e deklaratave në distancë. Ne të gjithë jemi jo vetëm të goditur nga e njëjta tragjedi, por nga ana tjetër të gjithë jemi në nevojë për të ndihmuar çatinë e Shqipërisë”, deklaroi Rama.

Ndër të tjera, ai theksoi se liderët kanë shprehur interes për këtë gjendje, ndërsa tregoi se ka biseduar nga afër me disa prej tyre, si Donald Trump, Angela Merkel dhe Emanuel Macron.

“U ndjeva i inkurajuar nga fakti që të gjithë ishin në dijeni dhe të interesuar të dinin më shumë. Kam bërë bisedë të gjatë me presidentin e Francës, Kancelaren, kryeministrin e Holandës, kryeministri i Danimarkës ka qenë shumë i interesuar. Kryeministri Conte pa diskutim, por edhe kryeministri i Kanadasë. Kemi folur dhe me presidentin Trump dhe Erdogan. Qëllimi është për të zhvilluar një konferencë të madhe donatorësh, kjo më është kërkuar.

Fokusi ka qenë për këtë temë, por edhe mbi ecurinë e integrimit në BE, si mund të shkojë procesi mbi dokumentin e paraqitur nga Franca. Por, unë kam qenë shumë i fokusuar te tërmeti, pasi kjo është më e rëndësishme sot. Është një moment për të kuptuar qartë të gjithë se përtej dallimeve e kundërshtive, Evropa është e gjitha e bashkuar në mbështetje të shqiptarëve”, theksoi Kryeministri Rama. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!