Rama në Rai Uno: Në Shqipëri s’ka revoltë popullore, por të pallatit të politikës

schedule10:15 - 6 Mars, 2019

schedule 10:15 - 6 Mars, 2019

Kryeministri Rama deklaroi në një intervistë në studion e emisionit “Porta a Porta” në televizionin Italian Rai Uno se në Shqipëri nuk ka revoltë të Popullit, por e pallatit të politikes. Pyetjes së drejtuesit të emisionit Bruno Vespa, “Çfare po ndodh në Shqipëri? – kryeministri shqiptar iu përgjigj se establishmenti që 5 vjet më parë humbi pushtetin me një diferencë votash si asnjëherë më parë nuk arrin ta pranojë këtë humbje ndaj ka nisur protestat.

Duke iu referuar dhe një reportazhi të shkurtër të paraqitur në fillim të intervistës për shqiptarët e fillim viteve ‘90 që arratiseshin drejt Italisë, Rama tha se Shqipëria nuk është më ajo që përhap lajme të tilla. Sipas kryeministrit, tashmë Shqipëria është vendi që zhvillon marrëdhënie tregtare me Italinë e të tjera, vendi ku 20 mijë italianë jetojnë dhe kanë aktivitetin e tyre  dhe që pret gati gjysëm milioni turistë italianë në vit. Duke vijuar më tej bashkëbisedimin me drejtuesin e emisionit dhe të ftuar të tjerë në panel, Rama u shpreh se Shqipëria është vërtetë në një fazë mjaft të rëndësishme sepse duhet të hapë negociatat për aderimin në BE, duhet të luftojë korrupsionin, krimin. Sipas Ramës qeveria ka bërë beteja që askush s’i ka bërë më parë, si ç’rrënjosja e kanabisit, e konfirmuar edhe nga Guardia Di Finanza.

Por gjatë një intervistë me kreun e opozitës, që u transmetua gjatë emisionit “Porta a Porta”, Lulzim Basha tha se Shqipëria ka dy probleme të rënda, një me demokracinë dhe një me kriminalitetin.

Sipas tij, 5 vite më parë, Shqipëria u bë prodhuesi dhe eksportuesi numër një i kanabisit, për të kaluar me pas në trafikun e heroinës dhe kokainës.

Basha shtoi se me milionat e fituara nga trafiqet e drogave të forta u blenë zgjedhjet, policët, drejtësia, media, pjesë të mëdha të ekonomisë private dhe të aktivitetit ekonomik publik. Por shefi i ekzekutivit Rama kujtoi sërish marrëveshjen për qeveri teknike para zgjedhjeve të kaluara, që i dha mundësi opozitës së atëhershme dhe aktuale të drejtonte ministritë dhe drejtoritë më të rëndësishme, KQZ, çka sipas tij rrëzon pretendimet për vjedhje të votave. Po ashtu sipas Ramës, këto zgjedhje u çertifikuan si të rregullta dhe nga institucionet europiane. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!