Gjatë qëndrimit në Pukë, kryeministri Edi Rama ka parë të realizuar investimin prej 248 milionë lekësh të qeverisë. “Kjo zonë është gati për të pritur njerëz e për të zhvilluar turizmin”, ka thënë shefi i ekzekutivit.
E sheh dhe kënaqet.
“Mrekulli! Është diçka fantastike. Po të zhvillohen edhe 2-3 agroturizme këtu bëhet një spektakël i paparë, që të hyjë në një epokë tjetër. Kjo është një pasuri e madhe e qytetit”.
Në sytë e tij pak gjëra i mungojnë që Puka t’i përngjajë një qyteze gjermane.
“Tani është momenti që këtu mund të vijnë realisht njerëz, se këtu është kryevepër, edhe klimë fantastike, edhe rindërtim i madh, edhe mikpritja edhe birra e Pukës. Tamam si ato qytezat gjermane”.
Këtë përshkrimi i bën kryeministri Edi Rama Pukës, i cili sipas tij nga një qytet i braktisur është kthyer brenda 4 vitesh në një atraksion të vërtetë turistik pas investimit prej afro 248 milionë lekësh nga qeveria.
Por ajo që i ka dhënë një impakt të menjëhershëm turistik këtij qyteti, është rehabilitimi i liqenit të vogël ku është bërë pastrimi tërësor i tij, me qëllim rritjen e sipërfaqes së pasqyrës ujore, si dhe është rindërtuar skarpata dhe është veshur me gurë me qëllim të mos dëmtimit nga gërryerjet e ujit.
“Mbetja spitalore që ka qenë këtu e mbeturina të tjera të panumërta,” shprehet kryetari i Bashkisë, Gjon Gjonaj, pasi në të gjithë këtë vijë liqenore janë pastruar mbi 90 mijë metër kub dhe e mbeturina spitalore.
Kryeministri ka parë edhe rikonstruksionin e hapësirave kryesore të qytetit ku është ndërhyrë në mbi 6 mijë metër katrorë sheshe dhe rrugë, si dhe janë rehabilituar fasadat dhe çatitë e ndërtesave përreth./abcnews.al