Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm në prezantimin e “Paketës së Maleve”, një nismë që synon nxitjen e investimeve dhe zhvillimin ekonomik në zonat malore të vendit.
Gjatë fjalës së tij, Rama theksoi se kjo paketë përfaqëson një politikë jashtëzakonisht nxitëse, e cila synon të krijojë një platformë të qëndrueshme investimesh në këto territore. Ai bëri të ditur se që në hapin e parë, përmes kanalit të komunikimit online, janë regjistruar rreth 800 shprehje interesi shumica prej tyre nga qytetarë shqiptarë, çka tregon sipas tij fuqinë tërheqëse të kësaj pakete.
Megjithatë, kryeministri shprehu edhe shqetësimin për ritmin e ngadaltë të zbatimit të saj, duke theksuar se vonesat po dekurajojnë investitorët e interesuar për t’u bërë pjesë e procesit.
“Ne besojmë që bëhet fjalë për një politikë jashtëzakonisht nxitëse, për të krijuar një platformë investimesh në territoret malore. Fakti që në hapin e parë që u hap kanali i komunikimit online lidhur me këtë paketë pati 800 shprehje interesi nga shumica dërrmuese shqiptarë Shqipërisë, flet vetë për fuqinë tërheqëse që ka kjo paketë. Nga ana tjetër e bëjmë këtë takim, sepse kemi shqetësimin që po ecën me një rritëm shumë të ulët në raport me atë që paketa vetë ka në thelb, shpejtësinë. Kjo vonesë është dekurajuese për ata të cilët tanimë e kanë çuar sinjalin e tyre që janë të interesuar të hyjnë në këtë proces”, tha kryeministri Rama./abcnews.al

