Rama në një thertore në Vlorë, flet për sigurinë e produkteve

schedule15:40 - 9 Maj, 2019

schedule 15:40 - 9 Maj, 2019

Garantimi i standardeve për produktin që i shkon konsumatorëve është sfida e radhës së kësaj qeverie. Konstatimin kryeministri Edi Rama e bëri gjatë vizitës në një thertore në Vlorë ku nënvizoi se paketa me ndryshimet ligjore në Kodin Penal do ti vijë në ndihmë sigurisë ushqimore. 

Për tu siguruar se çfarë konsumojnë shqiptarët ka shkuar në një thertore në Vlorë Kryeministri Edi Rama së bashku me ministrin e bujqësisë Bledi Çuçi.

I thonë se falë investimit privat kjo është një pikë ku teknologjia bashkëkohore në përdorim rrit garancinë për produkte të sigurta për konsumim.

“Në thertore është zyra e veterinerit të bashkisë, zyra e veterinerit tonë të cilët të dy e kontrollojnë mishin. Më pas procesi përfundon automatikisht me ngarkimin në kamionë. Procesi është  i modernizuar dhe investim i yni”, – shpjegon sipërmarrësi.

 “I gjithë problemi ynë është që në raport me sigurinë ushqimore duhet të garantojmë që mishi të jetë i sigurt. Ju e dini shumë mirë që para se të vihej rregulli në thertore ishte hata. Të investoje në thertore ishte të investoje në falimentim. Kundërshtojnë shpeshherë edhe ta që bëjnë sikur qajnë për popullin, që “pse po ju mbyllni fshatarëve rrugën e ekonomisë”, “pse nuk i lini të therin vetë” që është një çmenduri. Ndërkohë që për sigurinë ushqimore kjo është A-ja e padiskutueshme dhe ne me këtë paketën e re do të vendosim rregulla shumë strikte. Kush do i shkeli rregullat do të përballet me ndëshkime shumë të mëdha.”

Gjithashtu, Kryeministri theksoi se rritja e sigurisë ushqimore, do të inkurajojë edhe eksportin, në rastin konkret të mishit, duke bërë që blegtoria të kthehet në ekonomi eksporti.

 “Sa i përket eksportit, në raport me BE, të gjitha vendet përpara nesh, p.sh. Bullgaria dhe Rumania që janë anëtare të BE, kanë patur një luftë të madhe dhe një situatë shumë të ngatërruar për të zgjidhur me therjet e paligjshme dhe do të kërkojë kohë. Por, ndërkohë ne po përpiqemi me këto tregjet e Lindjes së Mesme se ata konsumojnë shumë mish qengji dhe kemi disa si të  thuash negociata për disa marrëveshje në mënyrë që blegtoria nga një përpëlitje e madhe për shkak të tregjeve të vogla për shkak të mungesë së sistemit, të kthehet në një ekonomi eksporti.”/ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!