MILANO- Kryeministri Edi Rama, në Itali, në takim me shqiptarët, në fillim të fjalës së tij u shpreh se ndihet i prekur nga mikpritja madhështore e bashkëkombësve tanë.
Ai theksoi se shqiptarët e Italisë janë përbashkuesit kryesorë dhe më meritorët të dy brigjeve të Adriatikut.
“Jam thellësisht i prekur nga mikpritja juaj. Dua që ta dini që më ka emocionuar tej masa vala e nxehtë e përshëndetjeve. Mirënjohje pafund për dëshirën e madhe për të më takuar. Një përqafim të gjithëve nga kjo arenë ku flamujt kuqezi dhe trengjyrëshi italian dëshmojnë bukurinë e lidhjen e përjetshme të dy popujve, të cilët i ka bashkuar një det historie. Ju, shqiptarët e Italisë, jeni shëmbëlltyra më rrezatuese e pararojave të shqiptarëve në bashkimin me Europën. Ju, as politika, as biznesi, as media, por ju jeni përbashkuesit kryesorë në dy brigjet e Adriatikut”, tha ai.
Rreth orës 11:00, kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga bashkëshortja e tij Linda Rama mbërriti në Milano dhe prej andej u nis drejt pallatit të sportit, aty ku iu rezervua një “mikpritje e zjarrtë shqiptare” nga bashkëkombësit tanë./abcnews.al


