Gjatë vizitës në Fier, kryeministri Edi Rama inspektoi dhe investimet që po kryhen atje. Shefi i qeverisë vizitoi impiantin e përpunimit të mbetjeve, pavionin e hemodinamikës në spitalin e qytetit dhe një serë të produkteve bujqësore.
Mbetjet që mblidhen dhe digjen pa asnjë kriter duket se nuk do të jenë më problem për Fierin. Faza e parë e projektit për impiantin e trajtimit të tyre, i dyti i këtij lloji në vend pas atij të Elbasanit ka përfunduar. Kryeministri Rama e inspektoi bashkë me kryeparlamentarin Ruçi, deputet i zonës.
“Para 3 vjetësh kemi shpallur emergjencën mjedisore te fusha ekzistuese e mbetjeve, një fushë ku akumulohen prej 50 vitesh mbetje pafund dhe mezi po presim që të fillojë funksionimi. Pikë së pari mbetjet të mos i çojmë më atje, por të fillojmë t’i depozitojmë këtu dhe pastaj, si fazë e dytë e projektit, edhe rehabilitimi i fushës ekzistuese dhe zbatimi i projektit për ta kthyer atë në minipark”, tha kryetari i Bashkisë së Fierit, Armando Subashi.
Këtë investim kryeministri e cilësoi si përgjigje ndaj spekulimeve publike mbi projektin, që vunë në alarm banorët në nisje të tij.
“Ky është kalimi nga mesjeta në kohët moderne në aspektin e trajtimit të mbetjeve, ndërkohë që plehrat rrugëve, fushave janë rreziku real i përditshëm që dërrmojnë shëndetin e shkatërrojnë të gjithë pjellorinë e tokës. Një projekt i tillë kthehet në një tabelë qitjeje e fut e bjer kush të mundet: “korrupsion”, “grabitje”, “hajdutëri”, “PPP”, por lum kush duron dhe koha i vë gjërat në vend”, tha ai.
Shembullin e Elbasanit dhe Fierit qeveria do ta ndjekë dhe në Durrës.
“Ne duam të bëjmë të njëjtën gjë edhe për Durrësin. Edhe aty kemi situatë emergjence mjedisore. Kemi filluar me projektin dhe një tjetër zonë e rëndësishme shpëton njëherë e mirë nga e gjithë çmenduria e plehrave në hapësirë dhe i gjithë ai potencial ndotës shpërbëhet dhe kthehet në një mjedis të mbrojtur me parametra normalë për jetën e njerëzve e turizmin”, u shpreh kryeministri.
Gjate vizitës në Fier, kryeministri u ndal dhe në spitalin e qytetit. Për herë të parë këtu është vënë në funksion pavioni i ri i hemodinamikës, me qëllim përmirësimin e shërbimit të kardiologjisë.
“Hapja e këtij kabineti është bërë në shkurt dhe janë 27 raste që kanë bërë koronarografinë dhe do të zgjerohet si shërbim se planifikohet që gjatë një viti të mbulohen rreth 1 mijë raste të pacientëve me sëmundje kardiake. Është një laborator që është i pajisur me angiografi të re në vlerën 700 mijë euro, plus 8 pajisje biomjekësore. Por më i rëndësishëm në këtë strukturë është ekipi mjekësor që në fakt falë përfundimit të specializantëve dhe falë mjekëve të rinj që kemi në shërbim, por mbi të gjitha të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza, do të kemi mundësinë që gjithë zona e Jugut të trajtohet, jo duke vajtur në Tiranë, por pikërisht në këtë laborator për rrugët kardiovaskulare. Reduktimi i listës së pritjes do të jetë evident tashmë, pasi bashkë me laboratorin e Shkodrës mbulojmë shërbimin dhe shtrijmë në të gjithë vendin”, u shpreh ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.
Aktualisht në qendrat e hemodinamikës të Shkodrës dhe të Fierit trajtohen vetëm rastet e programuara, ndërkohë që synimi është që të priten edhe urgjencat. Vizitën e tij në këtë qark shefi i qeverisë e mbylli në një serë të produkteve bujqësore. Qeveria ka mbështetur këtë fermer përmes skemës kombëtare duke financuar 50% të investimit.
“Kjo ishte një ndihmë e madhe nga qeveria. Unë e kam për herë të parë këtë biznes. Investimi total i serës ishte 220 milionë lekë. 50% e investimit është financuar nga qeveria. Kjo ishte nxitja kryesore që e bëra dhe shikoj që ky lloj biznesi është me mjaft interes”.
Kryeministri u shpreh se qeveria do të vijojë të mbështesë me financime fermerët e interesuar për të investuar sidomos në sera, në mënyrë që shifrat e eksportit të kapin një tjetër nivel. /abcnews.al