Kryeministri Edi Rama ishte sot në Bathore ku pa nga afër ambientet e reja të kopshtit Halit Çoka. Rama thotë se ky kopsht u ngrit me standartet më të mira europiane pasi tërmeti rrënoi ngrehinat e vjetra.
“Bathore, Kamëz – Shkolla dhe kopshti “Halit Çoka”, mjedise edukimi të rilindura me standardet më të mira europiane, pas tërmetit që rrënoi ngrehinat e vjetra jashtë çdo standardi, duke na bërë më të fortë në mbështetje të fëmijëve, mësuesve e prindërve
Në bashkinë Kamëz, janë plot 14 shkolla e kopshte të reja, që po marrin jetë nga themelet, e që do t’ia ndryshojnë përgjithmonë faqen arsimit në këtë zonë”, shkruan Rama.
Gjatë inspektimit të zonës bashkë me kryetarin e Bashkisë së Kamzës Rakip Suli dhe ministrin e Rindërtimit Arben Ahmetaj, Rama kritikoi për gjendjen e një sheshi para kopshtit. Ai iu drejtua Sulit që të flasë me kompaninë për të nisur menjëherë restaurimin e tij.
Pjesë nga biseda
Rakip Suli: Revolucion sa i përket ndërtimit të kopshteve dhe shkollave në Kamëz
Edi Rama: Që të mos i lënë revolucionit asnjë presje ky sheshit duhet të sistemohet. Fol me kompaninë një gjë e vogël është kjo.
Arben Ahmetaj: Numri i shkollave nga buxheti i shtetit dhe donatorët shkon në 14 vetëm në Kamëz. Ajo që unë them në vazhdimësi është se kemi rindërtuar më shumë shkolla se janë ndërtuar në Shqipëri në 30 vite
Rakip Suli: Është rritur 3-fishi kërkesa e prindërve për të regjistruar fëmijët në kopsht.
Rama kërkoi nga ekipi i punës më shumë kujdes në lyerjen e hekurave ndarës në shkallë. “Këtu e kam merakun tani, që të mbyllet taman mos të ngelet sikur. Më mirë lërë ashtu si është. Po tani që i keni hyrë me të bardhë bëjeni fiks”, u shpreh Rama
/mv.abcnews.al