Rama ndez “motorët” e fushatës, nis takimet me drejtuesit e qarqeve, kandidate për Lushnjen Eriselda Sefa

schedule15:59 - 24 Janar, 2022

schedule 15:59 - 24 Janar, 2022

Në një kohë që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka caktuar anëtarët e KZAZ-ve për 6 bashkitë ku do të mbahen zgjedhjet e pjesshme vendore, PS ka ndezur “motorët” e fushatës.

Kryetari i PS Edi Rama ka nisur sot takimet bashkë me Sekretarin e Përgjithshëm, drejtuesit politikë dhe deputetët e qarqeve ku ka zgjedhje. Takimi i parë sot ishte në Fier dhe ka zgjatur rreth një orë. Sipas burimeve për abcnews.al është folur mbi kandidaturat e PS për bashkinë Lushnje. Kryesisë i është propozuar për kandidate për kryetare të bashkisë Lushnje, Eriselda Sefa. Aktualisht Eriselda Sefa është kryetare e komanduar në këtë bashki.

Lexo edhe: Olta Xhaçka, e deleguara e socialistëve për zgjedhjet lokale në Shkodër

Kujtojmë se Grupi parlamentar i Partisë Socialiste zhvilloi një mbledhje këtë të hënë. Pjesëmarrës në këtë takim ishte edhe kryeministri Edi Rama. Ai i dha udhëzimet deputetëve të tij në këtë sesion parlamentar. Rama nisi me Këshillimin Kombëtar, vazhdoi me zgjedhjet e pjesshme lokale dhe përfundoi me çështjen e Presidentit të ri.

Në mbledhjen e grupit parlamentar Kryeministri tha se në muajin Prill duhet të zgjidhet Presidenti i Republikës. Ai i kërkoi deputetëve të tij që të gjejnë mënyra se si të këshillohen edhe me qytetarët për këtë vendimmarrje. Kryeministri tha se me situatën në PD është i vështirë dialogu me opozitën.

Gjatë mbledhjes Rama u ndal edhe tek zgjedhjet e pjesshme të 6 Marsit dhe ndërsa tha se PS do ta marrë me seriozitet garën, nuk la pa thumbuar edhe kundërshtarët e tij.

Nga njëra anë ne, këta që jemi, me të mirat, me të metat tona, në një garë për të punuar më shumë, më mirë, për Shkodrën, Durrësin, Dibrën, Lushnjen, Vorën dhe Rrogozhinën, nga ana tjetër ata me bravat, varetë, trastat me dekorata, të gjithë kundër të gjithëve për të provuar forcat mes tyre në kurriz të atyre bashkive dhe hipur mbi shpinën e anëtarësive të këtyre partive.Dy PD,  njëra më e madhe se tjetra dhe një tjetër parti më e madhe se të dyja bashkë, ngjitur me të madhen e të trejave. Tre liderë, njëri “grata”, tjetri “non grata”, tjetri të dyja bashkë, edhe “grata” dhe “nongrata”. Tre popuj nga mbrapa tyre, populli i 11 Dhjetorit, populli i 18 Dhjetorit, të dy në sherr për vulën e 8 Janarit dhe populli i 2 Marsit pa dyshim, i treti i vërteti që merr jetë nga sherri mes të paritt hdhe të dytit”, tha Rama.

Nga ana tjetër KQZ miratoi partitë politike që kanë të drejtë të propozojnë anëtarë të KZAZ-ve.Tre anëtarë propozohen nga Partia Socialiste ; Dy anëtarë propozohen nga Partia Demokratike, ndërsa një anëtar propozohet nga Lëvizja Socialiste për Integrim.

Partia Socialiste do të propozojë anëtarin e shtatë të KZAZ-ve me numër tek dhe Partia Demokratike do të propozojë anëtarin e shtatë të KZAZ-ve me numër çift.  Sekretari i KZAZ-së do të propozohet nga partia Socialiste në KZAZ-të ku Partia Socialiste ka propozuar zëvendëskryetarin e KZAZ-së, dhe nga Partia Demokratike në KZAZ-të, ku Partia Demokratike ka propozuar zëvendëskryetarin e KZAZ-së. Partitë politike duhet të paraqesin kandidaturat për anëtarë të KZAZ-ve jo më vonë se data 25 Janar 2022. be.k/abcnews.al