Rama ndan pamje nga aksi i ri Thumanë-Kashar: Kartëvizita evropiane e Korridorit Blu të Shqipërisë 2030

schedule07:56 - 1 Korrik, 2024

schedule 07:56 - 1 Korrik, 2024

Kryeministri Edi Rama ka ndarë disa pamje nga inaugurimi i aksit më të ri rrugor Thumanë-Kashar, që u hap për qarkullim të dielën. Teksa e cilëson si “kartëvizita evropiane e Korridorit Blu të Shqipërisë 2030”, kreu i qeverisë iu uron drejtuesve të mjeteve udhëtim të mbarë në këtë aks.

“Mirëmëngjes dhe rrugë të mbarë për të gjithë ju që sot do të kaloni nga autostrada e re Thumanë – Kashar, kartvizita europiane e KORRIDORIT BLU të Shqipërisë 2030”, shkruan kryeministri Rama.

Aksi Thumanë-Kashar, prej 21 kilometrash, është një autostradë e Kategorisë A të Bashkimit Europian, segmenti i parë i Korridorit Blu, që i paraprin tre kantiereve të reja Thumanë – Milot, Kashar – Lekaj dhe Lekaj – Fier. Kryeministri Rama tha se infrastruktura të tilla i paraprijnë vizionit për Shqipërinë 2030.

“Kjo rrugë është një vend ku të gjithë ata që duan ta prekin me syrin e imagjinatës çfarë është Shqipëria 2030 mund ta shohin sepse brenda kësaj periudhe e gjithë rruga, nga lart në Muriqan e deri në Vlorë do të jetë kështu, ky është Korridori Blu dhe ndërkohë edhe Korridori i VIII do të jetë tërësisht i përfunduar e po ashtu, – pasi kam vënë re që ka shumë komente për pjesën e rrugës Tiranë-Durrës dhe pjesën e rrugës së vjetër të Ndroqit, – shumë shpejt do të fillojë edhe ai projekt dhe autostrada Tiranë-Durrës do të zgjerohet ndërkohë që rruga e vjetër e Ndroqit do të mbetet ajo që është, por do të jetë një rrugë turistike, panoramike, e cila do të mundësojë një kalim alternative, por dhe nuk diskutohet një qarkullim shumë më të këndshëm në atë segment.”, u shpreh kryeministri në inaugurimin e rrugës një ditë më parë.

/abcnews.al