Rama-Metës: Ke bërë faj ndaj Shqipërisë

schedule22:06 - 13 Qershor, 2019

schedule 22:06 - 13 Qershor, 2019

Nga takimet elektorale në Përrenjas e Librazhd kryeministri Rama i kërkoi presidentit të kërkonte ndjesë për aktin e tij të shfuqizimit të datës së zgjedhjeve si mënyrë për të normalizuar fajin ndaj vendit. Shefi i qeverisë nënvizoi edhe njëherë se askush nuk do pengojë zgjedhjet e 30 Qershorit.

Nuk ia vonoi përgjigjen Presidentit të Republikës, që pas votimit të rezolutës kundër tij në kuvend, tha përmes këshilltarit ligjor se shfuqizimi i datës së zgjedhjeve është I detyrueshëm për t’u zbatuar. Nga takimi elektoral në Përrenjas tha se Meta, Berisha, Basha e Kryemadhi nuk do ndalojnë dot zgjedhjet më 30 Qershor e apeloi Presidentin të kërkojë ndjesë për aktin e tij

“Dua t’i them Ilirit, sot e filluam me të, po vazhdojmë me të që ta lexojë me qetësi dhe kthjelltësi rezolutën e miratuar sot me 100 vota. Të reflektojë mbi opinionin e përfaqësisë më të lartë të popullit sovran dhe të mos e trashë më tutje zullumin që është këputur për sa na takon dhe për sa i takon popullit shqiptar sepse populli shqiptar dhe ne që thjesht po bëjmë detyrën duke u paraqitur për të marrë atë që populli do të na japë, nuk ka shans të merren peng. E di që, ai është në pozitë të vështirë por nuk është as burrëri, nuk është as trimëri dhe as zgjuarsi që të mos reflektojë dhe të kërkojë dhe ndjesë sepse nuk ka bërë një gabim, ka bërë një faj ndaj Shqipërisë. Pavarësisht se ndjesa nuk e lan një faj të madh normalizon raportin e tij me fajin. Nuk është pak, çdo hap më tej alla-Sali, nuk ndihmon dhe ngarkon edhe më shumë atë vetë, ngarkon edhe më shumë një situatë që e kanë shkaktuar ata me qëllim dhe nga e cila ne të jeni të sigurt do dalim jo pa vështirësi sepse të bësh zgjedhje kur kundërshtarët nuk vijnë përballë, por përpiqen të krijojnë situata të vështira s’është e lehtë”. 

Në mbërritje të takimit elektoral në Librazhd e priste një grup protestuesish të mbështetur nga PD. U kujtoi penalitetet për atë veprim.

“’97 me kë? Me ata 100 mjeranë që gjuanin me gurë dhe kapsolla. Me ata do bëhet ’97-a? Sot kanë shkelur një na nenet e Kodit Penal për zgjedhjet duke penguar foorcërisht fushatën e një subjekti zgjedhor. Kodi thotë kush pengon fushatën e një subjekti zgjedhor dënohet nga 1 deri në 5 vjet”, tha ai.

Kryeministri akuzoi opozitën se synon pengimin e hapjes së negociatave, për të vonuar veprimin e drejtësisë ndaj cdokujt në vend. Asgjë nga ato që paralajmëron opozita s’do ndodhë më 30 qershor u tha mbështetësve.

“Asnjë lëkundje, asnjë frikë. E dëgjuat vetë nga presidenti i KE, të jeni të sigurtë që të gjithë miqtë e partnerët janë për kryerjen e procesit në 30 Qershor”.

Në takimin elektoral të Librazhdit ishte i pranishëm kreu i Partisë Socialiste Europiane, Sergej Stanishev, i cili tha se Shqipëria ka bërë progres të jashtëzakonshëm nën drejtimin e Edi Ramës dhe e meriton hapjen e negociatave me BE pas dy rekomandimeve pozitive të Komisionit Europian./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!