TIRANË- Kryeministri Edi Rama, në mbledhje me ministrat riktheksoi se ideja për të kryer shërbimin e prokurimit publik me ndihmën e inteligjencës artificiale duhet të realizohet sa më shpejt, ndërsa si afat fundor vendosi vitin 2027.
Ky hap i ri tha Rama do t’i japë vlerësim shtesë kapaciteteve të vendit.
“Te prokurimi publik kemi bërë progres të madh në raport me vetveten dhe në raport me rajonin, por ende nuk jemi në kornizën e progresit të mirë, çka do të thotë plotësim i këtij aspekti si pjesë e kushteve.
Është e rëndësishme dhe vendimtare që puna e nisur për modernizimin e prokurimit publik me inteligjencë artificiale të vazhdojë dhe të kurorëzohet.
Kurorëzimi i saj do të na çojë në një nivel tjetër dhe do të na bëjë një vend shembull në këtë aspekt. Kjo duhet t’i përkasë kësaj kornize kohore, brenda kalendarit të negociatave, dhe viti 2027 duhet të na gjejë me këtë objektiv të realizuar.”, tha Rama./abcnews.al


