TIRANË- Kryeministri i vendit, Edi Rama, ka deklaruar se mënyra se si po përdoret fjala “procedurë” në Kuvend përbën një abuzim të rëndë me etikën parlamentare dhe nuk përfaqëson standardet e parlamenteve demokratike të Bashkimit Europian.
Gjatë fjalës së tij, Rama theksoi se ndarja e mandateve në Kuvend ka një diferencë të qartë, ndërsa ndarja e orëve të fjalës krijon perceptimin e një parlamenti të ndarë thuajse në mënyrë të barabartë. Sipas tij, opozita gëzon më shumë kohë fjale sesa praktikat normale të parlamenteve të BE-së.
Rama akuzoi opozitën se po përdor procedurën parlamentare për të “marrë peng publikun” dhe për të pushtuar sallën e Kuvendit, duke i kthyer deputetët e shumicës në spektatorë të një “teatri balte”.
Sipas tij, sjellje të tilla nuk lejohen në asnjë parlament demokratik dhe as në parlamentet e vendeve të Bashkimit Europian.
Ai shtoi se rregullorja e Kuvendit nuk është e pandryshueshme dhe se, bazuar në praktikat europiane, duhet të ndërhyhet menjëherë që fjala “procedurë” të mos barazohet me pengmarrjen.
Mes tjerash, Rama apeloi që rrugaçëria në Kuvend duhet të marrë fund.
“Dua ta ritheksoj se në ndarjen e mandateve në Kuvend, diferenca është shumë e madhe. Ndërsa në ndarjen e orëve të fjalës në Kuvend, po të shikosh nga jashtë, duket sikur jemi në një parlament 51 me 49, çka do të thotë se orët e vëna në dispozicion të deputetëve të opozitës janë anomalisht shumë më tepër sesa orët që opozitat parlamentare marrin në parlamentet e BE-së.
Me këtë nuk dua të them se duam t’ua ulim orët opozitës; përkundrazi, dua të them se duhet të shikojmë që të ndërpriten fjalët e marra me forcë, me abuzim, në shkelje të plotë të etikës parlamentare, duke përdorur procedurën për të marrë peng jo Kuvendin, por publikun.
Dhe për të pushtuar sallën e parlamentit, duke vendosur deputetët e shumicës në pozitën e atyre që janë aty thjesht spektatorë të një teatri balte.
Kjo duhet të marrë fund. Në asnjë parlament demokratik, në asnjë parlament të BE-së, kjo nuk i lejohet asnjë force politike.
Prandaj, duke qenë se rregullorja e parlamentit nuk është e shkruar në gur, dhe duke u bazuar te rregulloret dhe praktikat e BE-së, duhet ndërhyrë menjëherë që fjala “procedurë” të mos jetë e barabartë me konceptin e pengmarrjes.
Legalizimi i rrugaçërisë në sallën e Kuvendit është bashkëveprim dhe bashkëfajësi në goditjen e të gjithë atyre të rejave dhe të rinjve, si dhe të atyre familjeve që ndjekin Kuvendin. Mbi të gjitha, është një goditje në aspektin social, sepse krijon nxitje të urrejtjes”, tha ai./abcnews.al


