Rama mbledh drejtuesit politikë/ Në fokus vota e diasporës: Emigrantët të regjistrohen për të votuar

schedule10:24 - 10 Shkurt, 2025

schedule 10:24 - 10 Shkurt, 2025

Kur kanë mbetur edhe 22 ditë nga përfundimi i procesit të regjistrimit të emigrantëve, kryesocialisti Edi Rama ka kërkuar nga drejtuesit politike më shumë organizim për të nxitur diasporën të ushtrojnë të drejtën e votës më 11 maj.

Në mbledhjen me dyert të mbyllura në selinë rozë, Rama ka kërkuar më shumë angazhim, kryesisht ne qarqet ku numri i të regjistruarve është më i ulët, përkatësisht i Kukësit, Gjirokastrës dhe Dibrës. Ndërsa referuar të dhënave të KOmisionit Qëndror të Zgjedhjeve, qarku i Tiranës ka numrin më të lartë të regjistruarve, e pasuar nga Fieri dhe Durrësi.

Gjatë qëndrimit në Partinë Socialiste, Rama iu drejtua me një videomesazh edhe diasporës, të cilëve u përsëriti edhe një herë angazhimin e forcës politike që ai drejton se posta për dërgimin dhe kthimin e fletës së votimit do të paguhet nga shteti shqiptar.

“Kush do të bëhet pjesë e kësaj historie të re për demokracinë tonë duhet të regjistrohet deri në 4 mars se votimi bëhet me postë dhe koha për t’ia çuar fletën e votimit në shtëpi çdo zgjedhësi me një zarf të parapaguar edhe për kthimin është e domosdoshme”.

Mandatin e katërt e kërkon për ta cuar Shqipërinë drejt Bashkimit Europian teksa nuk e fsheh faktin se pret me kureshtje se cili do të jetë verdikti i shqiptarëve që jetojnë jashtë vendin për qeverisjen e tij.

“Unë mezi pres që të shoh se cili do të jetë gjykimi i shqiptarëve të Evropës dhe të botës për Shqipërinë e çliruar nga hija e zezë e paragjykimeve të deri djeshme, për Shqipërinë e respektuar nga Evropa dhe bota si asnjëherë më parë dhe që në mandatin tonë të 4 do të hedhë hapin përfundimtar të anëtarësimit në BE”.

Deri më tani, në Komisioni Qëndror të Zgjedhjeve janë miratuar mbi 114 mijë kërkesa nga emigrantët për të votuar në zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Numri më i lartë vjen nga shtetasit shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Itali e ndjekur nga Greqia dhe Gjermania./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!