Kryeministri Edi Rama u tërhoqi vëmendje punonjësve të policisë së shtetit që mbyllin sytë para paligjshmërisë në zonat bregdetare dhe gjurmojnë ndërtimet pa leje në zonat më të thella.
Rama tha në Vlorë se pak javë më parë është hedhur 3 mijë metra katror zhavorr pa leje në pyll dhe të gjithë bëjnë sikur nuk e shikojnë.
“Policia e shtetit me ligj është autoriteti që mbron territorin e Shqipërisë. Të gjithë të tjerat kanë përgjegjësi te veçanta. Por nuk mbrohet Shqipëria nga ndotja me numrin e inspektorëve që ne kemi. Është e patolerueshme që jo më larg se para disa ditësh dhe disa qindra metra nga këta në Vlorë mbushet një sipërfaqe pylli me 3 mijë metra katror zhavorr dhe askush nuk e shikon.
Këto janë akte krimi ndaj mjedisit ashtu si do tullë që vihet pa leje. Në vend që policia të gjejë njerëz në fshat që nuk ndërtojnë dot një mur se u vënë gjobën ose u kërkojnë ryshfetin dhe të mos i ketë sytë e hapur kur u kalon zhavorri pa leje”, tha Rama. m.v/Abcnews.al