Kryeministri Edi Rama në një konferencë të përbashkët me kryeministrin e Bullgarisë, Stefan Yanev bëri thirrje për t’i dhënë zgjidhje konfliktit mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Rama u shpreh se këto dy vende duhet të gjejnë gjuhën e përbashkët për rrugën drejt integrimit Europian. Ai gjithashtu theksoi se kjo është një çështje që i përket Bullgarisë dhe RMV, ndërsa shtoi se tashmë Bullgaria sot duhet të nxitë Maqedoninë që të të dalë nga kjo pozitë.
“Besojmë që që kjo çështje duhet të zgjidhet midis udhëheqësve të dy vendeve, pasi nuk besoj që të tjerët mund të zëvendësojnë atë që të dyja palët supozohet të bëjnë. E di që në Bullgari ka një qeveri kujdestare me kuadër mjaft të qartë veprimtarie.
Por mendoj që Bullgaria si shtete anëtare e BE-së është e pjekur dhe ka gjithçka i nevojitet për të kujtuar veten kur gjendej në të njëjtë pozitë dhe nga ana tjetër të nxitë Maqedoninë e Veriut për të dalë nga kjo pozitë”, tha Rama.
Gjatë fjalës së tij kryeministri bullgar Stefan Yanev, theksoi se rruga drejt Europës duhet të konfirmohet me vepra konkrete.
“Shoqëria mos mendojë që Bullgaria po pengon. Bullgaria mbron marrëdhëniet ndërkombëtare. Çështjet tona që kemi për të zgjidhur me Maqedoninë e Veriut mund të zgjidhen vetëm në mënyrë dypalëshe. Ndërhyja nga jashtë nuk është ide e mirë, sepse dy vendet duhet të gjejnë rrugën e dialogut. Ajo që është deklaruar për perspektivën evropiane të konfirmohet me vepra. Kjo pozitë duhet ti shpjegohet partnerëve ndërkombëtare dhe problemet e dyanshme mos ndikohen”, tha ai.
Më tej kryeministri Rama, i pyetur nëse Serbia duhet ta kishte njohur Kosovën, u përgjigj i bindur se kjo duhet të kishte ndodhur shumë kohë më parë, ndërsa shtoi se shpreson që kjo të arrihet nëpërmjet dialogut.
“Duhet ta kishte njohur Kosovën shumë kohë më parë dhe çdo ditë që kalon vonon atë që është gjëja e duhur për tu bërë, por shpresoj që nëpërmjet dialogut, njohja e ndërsjellë do të vijë.
Qëndrimi ynë si Shqipëri është qëndrim, të cilin askush nuk duhet ta ketë zili. Jemi mbërthyer e gjendemi mes dy miqve.
Procesi është i ndërtuar në mënyrë të tillë që duhet respektuar. Nuk jemi për të mbajtur anë, por jemi duke shpresuar që këto çështje të gjejnë një mënyrë për tu zgjidhur me dialog”, tha më tej Rama./i.k/abcnews.al/