Edi Rama mblodhi sot drejtuesit politikë të 4 qarqeve të veriut, nga ku kërkoi një analizë të punës së institucioneve. Kryeministri ka urdhëruar deputetët e tij, të përfshijnë në cështjet e emërimet edhe Tom Doshin, duke ju thënë se kur ai vetë ulej me Berishën e Metën, nuk ka arsye që të tjerët të mos ulen bashkë.
Këtë të premte Edi Rama e nisi në Velipojë, ku mblodhi drejtuesit e 4 qarqeve të Veriut që ai i koordinon vetë në PS.
Në takim morën pjesë qarqet Shkodër, Lezhë, Dibër e Kukës, por pikën më të nxehtë, Edi Rama e ka pasur në bashkinë që la bosh Valdrin Pjetri.
Tom Doshi dhe Paulin Stërkaj, i janë ankuar kryeministrit se deputetët e Shkodrës, Senida Mesi e Luan Harusha nuk i kanë pyetur për emërimet e drejtorëve të qarkut.
Rama ka kërkuar që Doshi të përfshihet në këto vendimmarrje, duke thënë se ai vetë ishte ulur në bisedime me kundërshtarët më të mëdhenj të tij.
Doshi dhe Stërkaj: “Senida Mesi dhe Luan Harusha nuk na pyesin për emërimet”.
Rama: “Pse nuk uleni bashkë? Toma është parti tjetër por e kemi aleat, Paulini është i Malësisë së Madhe por ka të drejtë të japë mendim për drejtorët rajonalë që përfshijnë dhe bashkinë e tij. Kur jam ulur unë me Ilir Metën dhe Sali Berishën, ju pse nuk uleni me njëri tjetrin të flisni? Mos më ejani më me 20 emra, por kopsitini propozimet”.
Gjatë mbledhjes janë shqyrtuar organikat e bashkive. Ilir Beqaj do të rishikojë organikat dhe do të propozojë struktura të reja, me staf më të reduktuar. Rama ka kërkuar një vlerësim të e buxhetit te bashkive,borxheve dhe projekteve aktuale.
Rama kërkon po ashtu, mes analizës së performancës së drejtorive në tërësi, dhe një analizë të punës së drejtorëve të shkollave. /ABC News Albania 24/7