“Rama ka qenë gjithmonë krah për krerët e UÇK”, Hysni Gucati: Kurti s’ka ardhur kurrë në Hagë

schedule17:21 - 29 Shtator, 2025

schedule 17:21 - 29 Shtator, 2025

Kreu i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, ka folur në një intervistë “Balkan Update” në ABC News, ku ka vlerësuar mbështetjen e kryeministrit Edi Rama për ish-krerët e UÇK-së që po përballen me drejtësinë në Hagë.

Gucati theksoi se Rama ka qenë një zë i fortë për ta që prej 4-5 vitesh, duke marrë pjesë në protesta dhe duke treguar gatishmëri për të qenë pranë tyre në çdo formë.

Ai kritikoi qasjen e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, duke thënë se ky i fundit nuk ka treguar mbështetje dhe nuk ka pranuar as takime me përfaqësuesit e veteranëve. Gucati u bëri thirrje qytetarëve nga të gjitha trevat shqiptare që të bashkohen në protestën që do të mbahet së shpejti në Tiranë, të cilën e cilësoi si një protestë kombëtare për bashkimin dhe përkrahjen e luftëtarëve të UÇK-së.

“Edi Rama na ka mbështetur që para 4-5 viteve. Në të gjitha formave, edhe në protestën në Prishtinë dhe në Hagë, edhe në Tiranë do të na mbështetë. Ka qenë një zë i fortë për ne. Ka qenë një ‘babë’ për ne. Për Kurtin nuk dua të flas shumë, ai e di vetë se përse nuk do që të merret me ne. Ai nuk ka qenë kurrë në Hagë, nuk e ka shprehur kurrë mbështetjen dhe gatishmërinë që të rrijë krah nesh. Kemi bërë thirrje që të takohemi me Vetëvendosjen dhe ajo nuk ka pranuar. Rama ‘një babë’ i mirë, interesohet për djemtë e vet. Atë ditë Tirana do të jetë UÇK. Protesta do të bëjë bashkë shqiptarët, pa dallime politike, do të jemi atje të gjithë për të mbështetur ish-krerët e UÇK. Dua t’u bëj thirrje të gjithë qytetarëve të Shqipërisë dhe të Kosovës, që të na bashkohen në protestë, kjo është protestë kombëtare”, tha Hysni Gucati./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!