Nga Enkel Demi
Kjo solloratje e tij nëpër rrënoja, përlotjet, ngashërimet, hakërimet, humori i pavend e kanë kthyer këtë njeri në një hienë që kërkon ushqim mbi kufomat e fatkeqësisë. Po bën gjithçka që të rrëfejë se është i pranishëm, betohet se nuk do i vjedhë ndihmat, megjithëse ata që po i zgrepin janë shefa policie.
Mbyll protalet që e vënë në hall, plas në burg një vajzë të panjohur në Durrës, besimtare, por i pëlqen të kuvendojë me tespije në dorë dhe të ketë në të mëngjër Elvis Naçin.
Të nesërmen e gjëmës premtoi se do i ndërtojë të gjitha shtëpitë deri në vitin 2020. Caktoi një afat kohor, në mënyrë që mos t’i shkojë kush në derë e t’i lypë zgjedhje të parakohshme, sepse t’i thotë: “Tani kemi këtë hallin e madh, zgjedhjet në 2021!”. Kaq i duhet Batonit të lëshohet dhe të bëjë “profetin” gojëprishur.
Por, Ramës kjo nuk del, nuk i zënë këmbët dhe e niset derë më derë, ku ka mort. Ai e di që shqiptari nuk të nxjerr përjashtë, nëse ia pi kafen, por duket sheshit që e presin keq. I është bërë makth që e presin keq, ndaj dhe lehja e një qeni që i bëhet si “Rama ik!” ia lëshon nervat dhe grindet, i leh ai qenit.
Në gjithë qeverisjen e tij nuk ka falur një grimë dashuri, sepse nuk ka ku ta gjejë, ndaj është vonë që të mbajë në të mëngjër klerikë. E ka zemrën gropë. Kështu që kur kryetarja e Durrësit thotë se jemi të lumtur që vdiqën vetëm 50 vetë, ajo ka cituar atë që ka dëgjuar nga ai.
E hëngri ajo, se ishte tyryfyle që e tha, por ajo ashtu e ka dëgjuar. Durrësi që ra sikur qe ndërtuar me lego dhe jo me beton mban në bark Edi Ramën me zemrën gropë që në këtë qytet ka mbirë dy pëllëmbë burrë. Ai është Vangjush Dako, i cili u rikthye në vendin e krimit, në bashki, atje ku janë dhënë ato palo leje.
Durrësi sot vuan zinë e bukës, njerëzit nuk kanë ku fusin kokën, ai gjen kohë të thotë se jo të gjithëve do ua bëjmë shtëpinë, madje jo për të gjithë ka hotele me 5 yje që nuk ua mban xhepi as për pushime.
Edi Rama bredh kudo, është me kamera me vete, flet, bërtet, kërcënon, mbeti në televizor, por nuk i ka duk puna, se nuk punon. Nuk i kemi parë nëpër ekrane shefat e shteteve, ku kanë rënë fatkeqësi të këtilla, vetëm këtë shohim që rend si kali në lëmë, ku shquan një llampë të kuqe kamere.
Por, ai nuk ka hallin e njerëzve, nuk i duhen banesat, zija e bukës, ai duhet të dalë, që ta shohin se është i pranishëm, që është në krye të pirgut të rrënojave, në mënyrë që mos ta heqin, se tërmeti i ka rrënuar pushtetin, të cilin e mbante me llogje dhe thashetheme grash.
Ai ka rënë, por duhet të shfaqet në këmbë, ani se i dridhet dora, ani se i ka lëshuar gjithë pëllumbat nga kafazi. Atij i duhet të qëndrojë në këmbë, mundësisht si Din Hyka i realizmit socialist me proteza, të cilat janë çfarëdo, herë Elvis Naçi, herë Lul Basha që nuk i sulet, herë njerëz të paguar që qajnë për të në këtë teatër mizor, ku ai qëndron si Caravaggio, ku Davidi mban kokën e tij të prerë./abcnews.al