Kryeministri Edi Rama në konferencën e përbashkët me homologun Albin Kurti në Elbasan se një pjesë e marrëveshjeve të nënshkruara sot mes dy qeverive kanë nisur të vihen në zbatim. Rama deklaroi se edhe sekretari i përbashkët i dy vendeve është emëruar që në takimin e shkuar në Prishtinë dhe gëzon respektin e dy palëve. Rama iu drejtua gazetarëve në lidhje me kritikat duke theksuar se është detyra e tyre ta shohin gotën gjysmë bosh dhe detyra e tij ta shohë gjysmë plot.
“E kam diskutuar sa herë që ka pasur një qeveri të re në Kosovë. Nuk është e vërtetë që rezultati është zëroi. Një pjesë e tyre janë në zbatim dhe një pjesë e tyre kanë ngecur. Me Albinin dhe qeverinë aktuale kemi pasur një qasje dinamike dhe jemi fokusuar tek një numër marrëveshjes që jo vetëm janë konkrete në fjalë por janë edhe pjesë e një pune konkrete që është bërë. Po ju jap shembullin e hekurudhës.
E kemi vënë në buxhet për vitin 2022 studimin e fizibilitetit. Ky është vetëm një shembull. Kemi folur sa herë për të lehtësuar kalimin në kufi dhe sa herë jemi sprapsur për arsye të ndryshme. Mes ministrave është gjetur një zgjidhje. Nuk jemi në kushtet e marrëveshjekracisë. Jemi në kushtet kur ka një reflektim të bërë për atë që nuk ka shkuar si duhet në të shkuarën.
Mos mendoni se sekretariati është shpikur nga ne. Ka qenë prej kohësh kërkesë por nuk është bërë asnjëherë. Sot kemi një sekretariat por ndërkohë sekretarin e kemi në punë që prej takimit bëmë në Prishtinë. Është një rast konkret dhe domethënës i një individi që gëzon respekt të plotë nga dy palët. Duhet të jemi pak më vlerësues siç jemi edhe vetë kritikë. Dhe në këtë rast puna juaj e do që të shihni gjysmën bosh dhe puna ime e do të shoh gjysmën plot”, tha Rama. m.v/Abcnews.al