TIRANË- Kryeministri Edi Rama deklaroi se vetëm populli ka të drejtën të vendosë me votë se kush qeveris dhe kush qëndron në opozitë, ndërsa asnjë protestë nuk mund të zëvendësojë vullnetin e shumicës.
Ai u shpreh se nuk do të largohej nga detyra vetëm sepse një pakicë kërkon dorëheqjen, duke e cilësuar një veprim të tillë si braktisje të përgjegjësisë.
Kryeministri theksoi se misioni i qeverisë do të vazhdojë deri në realizimin e objektivit për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
“As unë, që e kam me vulë dhe me firmë mandatin për ta përfaqësuar Shqipërinë në emër të popullit, nuk e kam tagrin të them në emër të popullit atë që duhet ta thotë vetëm populli: kush duhet të jetë në qeveri dhe kush duhet të jetë në opozitë. Këtë populli e thotë vetëm vetë, vetëm me votë dhe vetëm kur zgjedh të mandatuarit e tij. Unë e kam tagrin të vendos për veten time nëse duhet t’i dëgjoj dëshirat dhe urdhrat e një pjese që këndon poshtë zyrës sime: ‘Rama, jepe dorëheqjen’.
Ajo këngë më pëlqen dhe më energjizon aq shumë, sa t’ju them të drejtën, më gënjen vetja se mund të bëj një këngë tjetër me të. Por, në çdo çast dhe rrethanë, përtej këngës, të largohesh nga detyra që të ka ngarkuar shumica vetëm sepse një pakicë bërtet në kor, nuk është as tipar udhëheqjeje, as përgjegjësi institucionale, por është vetëm braktisje e një përgjegjësie shumë të madhe. Ndërsa të largohesh pikërisht sot nga udhëheqja e vendit, duke lënë në rrugë misionin historik që fati e vuri mbi supet tona, do të ishte shpërfillje e pafalshme e një porosie të madhe kombëtare.
Kush do të këndojë, kur të dojë le të këndojë, kur të dojë le të pushojë. Misioni ynë do të vazhdojë deri sa të përfundojë me vendosjen e flamurit të Skënderbeut dhe Ismail Qemalit në oborrin e Evropës së Bashkuar.”, tha ai./abcnews.al


