Pas mbledhjes së Kryesisë së PS e cila ka zgjatur disa minuta, kryeministri Edi Rama ka dhënë detaje mbi temat e diskutuara, duke theksuar se fokusi ka qenë te ndryshimet në parti dhe te zgjedhja e presidentit të ri. Rama tregoi para gazetarëve se në mbledhje u diskutua për zgjedhjen e kryetarëve të rinj e PS në 61 bashkitë e vendit.
“Meqë duhet të nisem për në Varshavë ku është konferenca e donatorëve për Ukrainën. Sot kemi folur për procesin e hyrjes në zgjedhjet e në parti për kryetarët e të gjitha njësive dhe në Asamblenë kombëtare do të miratojmë dhe një sërë dokumentesh që janë miratuar në kryesi që burojnë nga detyrimet e kongresit pas ndryshimeve statutore”, tha Rama duke theksuar se do të fluturojë për në Varshavë ku do të marrë pjesë në Konferencën e Donatorëve për Ukrainën.
Lexo edhe: Mblidhet Kryesia e PS, fokusi: Nga kandidaturat për President te Asambleja
Kreu i qeverisë shtoi se grupi i ngritur për zgjedhjen e presidentit dha informacione se sot kanë nisur bisedimet zyrtarisht me opozitën. Kryeministri u shpreh se janë të hapur për të zgjedhur nje emër konsensual.
“Pati informacion nga grupi i posaçëm që kemi ngritur për zgjedhjen e presidentit. Sot sipas informacioneve kanë filluar bisedimet zyrtare me palët e tjera në kuvendin e Shqipërisë në përpjekje për të identifikuar një kandidaturë me konsensus. Nëse ka vullnet patjetër që shanset janë të mira. Ne jemi të gatshëm që të jemi sa më të hapur në funksion të zgjedhjes së një presidenti që të garantojë mbylljen me sukses të një kapitulli çmendurie në krye të shtetit”, tha Rama.
Për t’i dhënë më shumë kohë opozitës për t’u ulur në tryezën e negociatave, me kërkesë të kreut të grupit parlamentare demokrat, nisja e procedurës parlamentare për zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës do të shtyhet për në datën 10 Maj, ndërsa raundi i parë do të ezaurohet në datën 16 Maj.
/abcnews.al