Kryeministri Edi Rama tha mbrëmjen e së enjtes në “Opinion” se nëse numrat e të infektuarve në Tiranë rriten, kryeqyteti jo vetëm që nuk do të kthehet në zonë të gjelbër, por rrezikon të kthehet nga zonë e kuqe, në zonë të mbyllur fare.
Përvec kësaj ai deklaroi se gjatë këtyre ditëve në Tiranë është parë shkelje e fashës orare sidomos në zonën e liqenit Artificial, dhe në lidhje me këto shkelje Kryeministri Rama deklaroi se është shkarkuar nga detyra shefi i komisariatit nr. 1 në Tiranë.
“Unë do ju them shqiptarëve vetëm kaq, do të keni ditën të më gjykoni, por mos më kërkoni të bëj të mirin kur faktet nuk ma lejojnë. Dje është shkarkuar shefi i komisariatit që mbulon zonën e Parkut të Liqenit. Është ndjekur politika që të mos veprohet shumë me gjoba dhe për të mos bërë presion, për të dhënë mesazhin që ne jemi bashkë në këtë luftë. Por nëse kjo punë do të vazhdojë, e para një herë numrat do të na flasin, e dyta do të kthehemi prapë mbrapa. Mos u çudisni, që në vend që të bëhet zonë e gjelbër, mbas 1 jave, mbas 10 ditësh, Tirana të kthehet nga zonë e kuqe në zonë e mbyllur fare. Mos u çudisni nëse do të mbyllemi prapë, të shtunën, të dielën e të premten e kështu me radhë”, tha Rama.
Burime për ABC News, konfirmuan se shefi i komisariatit nr. 1 është pezulluar nga detyra, por ende nuk dihet nëse janë marrë masa edhe për policinë bashkiake, dhe atë ushtarake, pasi për zbatimin e urdhërit të dhënë nga kryeminisri Edi Rama, për ndalimin e lëvizjes në liqenin e Tiranës dhe në zonat rekreative në vend, u ngarkuan si Bashkia e Tiranës, policia ushtarake dhe ajo e shtetit./abcnews.al