Atë që nuk e bëri dot tërmeti, nuk po e bën dot as virusi.
Edi Rama dhe Lulzim Basha nuk po e gjejnë gjuhën e përbashkët as për menaxhimin e epidemisë.
Në kushtet e karantinimeve, paketa e propozimeve demokrate është bërë lëndë e parë e kalitjes së ironisë kryeministrore.
“Mirë virusi e mirë gjithë ky mal me halle mbi kokën e popullit, po s’të le as 7×7=42-shi me masat fantastike që i përsërit duke folur në gjumë! Fli o xha, fli se të erdhi dita, po pas duarve laj edhe sytë që ta kuptosh se je zgjuar e mos i tregosh miletit si duket virusi nga hëna,”, shkruan Rama.
Nga ana e tyre, demokratët thonë se lënia e një prindi pushim gjatë kohës së epidemisë, dhe garantimi i pagave të atyre që punojnë në privat, është një kopjim që Rama ju bën ideve të opozitës.
“Edhe na kopjon, edhe na sulmon! Të kemi thënë që ditën e parë: ne nuk e kemi problem që ti merr dhe zbaton masat e propozuara nga Lulzim Basha, përkundrazi. Në këto kohë të vështira ne po të kërkojmë publikisht të zbatosh të gjitha propozimet tona dhe pa asnjë vonesë të mëtejshme. Sot betejën nuk e ke me opozitën, por me koronavirusin”, shprehet Bardhi.
Numri dy i Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi kërkon që pa komplekse, qeveria të zbatojë të gjitha masat e kërkuara nga Basha./abcnews.al