Rama inspekton ambulancën e Goricanit në Berat

schedule20:49 - 1 Shkurt, 2019

schedule 20:49 - 1 Shkurt, 2019

Gjatë vizitës në Berat kryeministri Edi Rama inspektoi edhe një nga ambulancat e bashkisë së Urës Vajgurore, në Gorican.

Ambulanca e Goricanit, në njësinë administrative Kutalli, Berat, i është nënshtruar rehabilitimit të plotë, duke përmirësuar nga themelet shërbimin që ofron për banorët e zonës. Inspektimin e bëri vetë kryeministri Edi Rama.

“Është një ambulancë e vogël që i shërben 2400 banorëve të zonës, por që ofron shërbime të rëndësishme për të gjithë ata”.

Ndërkohë që kabineti i kontrollit mjekësor bazë hapet për herë të parë në këtë ambulancë. Ministrja Manastirliu shprehet se me rehabilitimin e qendrave shëndetësore dhe me hapjen e kabineteve të reja, mbulimi i kontrollit mjekësor bazë do të jetë shumë më i lartë.

Ambulanca e Goricanit është një prej 10 ambulancave të rehabilituara në bashkinë e Urës Vajgurore. Kryetarja e Bashkisë atje, Juliana Memaj shpjegoi investimet e kryera.

“Në këto tre vite është e bërë e mundur që të ndërhyhet në 10 ambulanca. Ambulanca e Goricanit është një prej tyre, është ndërhyrë edhe në tre qendra shëndetësorë të tjera. Njëra është e lidhur me njësinë administrative Poshnje, Qendra shëndetësore në Kutalli. Këtyre investimeve iu shtohet edhe qendra multifunksionale që u vjen në ndihmë personave me aftësi të kufizuar në Poshnje”.

Për herë të parë, bashkia mund të ketë një qendër të tillë sipas kryebashkiakes, qendër e cila pritet të fillojë nga puna në muajin mars. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!