Rama: Ilir Meta duhet ndalur

schedule22:47 - 8 Korrik, 2019

schedule 22:47 - 8 Korrik, 2019

Edi Rama kërkoi në Kuvend votë unanime për hetimin parlamentar të presidentit, duke thënë se Ilir Meta duhet ndalur, pasi është çekuilibruar nga frika e drejtësisë, është kthyer në armik jo vetëm i Kushtetutës, por edhe i aleatëve ndërkombëtare. Në fjalën e tij, kryeministri tha se 30 qershori tejkaloi të gjitha pritshmëritë e tij për pjesëmarrjen në votime.

“Ilir Meta nuk e ka mbushur kupën, por e ka derdhur dhe vazhdon ta derdhe atë përditë, duke na dhënë çdo ditë një arsye për t’u ndjerë të keqardhur”, tha Rama.

Për 30 minuta, në foltoren e parlamentit Edi Rama bëri bilancin e mëkateve politike e juridike të Ilir Metës,  njeriut që gjatë karrierës së tij, e ka pasur aleat, po aq herë sa rival.

“Jemi të detyruar ta ndalojmë Ilir Metën të gabojë më tej”.

Kryeministri kërkoi votë unanime për komisionin hetimor që e sjell një hap më parë shkarkimin e presidentit

“Ilir Meta duhet hetuar dhe ndëshkuar deri në fund nga ky Kuvend dhe reagimi ynë ndaj tij, si deputetë të këtij Kuvendi, duhet të jetë frontal”.

Kreu i qeverisë i ka disa arsye se pse Ilir Meta nuk mund të jetë më kreu i shtetit.

“Ilir Meta nuk është më thjesht kundërshtari i njohur i qeverisë.  Ai sot është armiku i hapur i vetë Kushtetutës së Shqipërisë. ”

Si njeri që e njeh mirë Ilir Metën, Edi Rama i diagnostifikon kështu sjelljet presidenciale.

“Ai sot është vetë shëmbëlltyra e tërbimit të të tremburve nga drejtësia. Është një armiqësi e ushqyer nga dëshpërimin prej disfatës së turpshme të planit antikombëtar të hedhjes në erë të zgjedhjeve”.

Klimën e acaruar zgjedhore, kreu i qeverisë ja faturon sërish Metës.

“Me antidekretin e tij, ai nxiti përhapjen e dhunës në territoret e bashkive të drejtuara nga opozita dhe frymëzoi aktet e vandalizmit ndaj infrastrukturës zgjedhore, që nga djegiet kriminale të shkollave, deri tek kryengritja groteske e bravave”.

Edhe pse gjendja e Presidentit do të ishte një favor elektoral për qeverinë, Edi Rama thotë se e refuzon këtë dhuratë.

“Ashtu i dizekuilibruar prej frikës nga drejtësia, i çoroditur prej disfatës së operacionit antikombëtar, që bashkëudhëhoqi me 3 kalorësit e tjerë të apokalipsit imagjinar, hakërrues dhe qesharak njëkohësisht, në pafuqinë e tij, ai është sot, faktikisht, një aset i vyer politik i kësaj shumice qeverisëse. Me atë lloj figurine kërcënuese në Presidencë, edhe më të pakënaqurit ndaj nesh do të trembeshin ta çonin votën gjetkë pas dy vitesh.”

Pasi ka lexuar edhe raportin e ODIHR me vëmendje, kryesocialisti është i kënaqur me atë çfarë arriti.

“Sidoqoftë, e vërteta e thjeshtë është se pjesëmarrja e 30 qershorit ka tejkaluar çdo pritshmëri tonën në atmosferën mizerabël që u zhvilluan këto zgjedhje. Ne kemi marrë një përqindje më të lartë votash, sesa kishte koalicioni fitues që qeverisi Shqipërinë në vitin 2015”.

Atë që opozita e quan Komisioni Qendror i Vjedhjeve, Rama e mori në mbrojtje.

“Përballë dëshpërimit kreativ të frontit të së keqes së këtyre zgjedhjeve, KQZ-së nuk i mbeti rrugë tjetër, veçse të rezistojë, duke mbrojtur frymën e Kushtetutës dhe të Kodit Zgjedhor, për të shpëtuar zgjedhjet nga shkatërrimi i paralajmëruar”.

Vërejtjeve të ODIHR-it kryeministri ju përgjigjet me një zotim.

“Kjo ishte hera e fundit që zgjedhjet administrohen nga partitë politike. Do të duan, apo nuk do të duan bojkotuesit e këtyre zgjedhjeve që ikën, ne do ta depolitizojmë administratën zgjedhore, besoj edhe me mbështetjen e opozitës parlamentare”.

Në fund, një apel për Ilir Metën për sa kohë do të jetë ende në zyrë.

“Të reflektojë dhe ta grumbullojë veten e shpërndarë dhe ta mbledhë brenda kornizës së përgjegjësive të kompetencave të tij. Të ndërpresë çdo sulm kundër përfaqësive diplomatike të Shteteve të Bashkuara dhe të Bashkimit Europian në Shqipëri, të ndërpresë çdo sulm ndaj Parlamentit, të cilin nuk ka dyfek presidencial që e cenon në legjitimitetin e vet, siç nuk ka dekret molotov që e shkurton mandatin e tij”./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!