Kryeministri Edi Rama reagon në lidhje me historinë e Manjola Cakonit dhe të birit Alesio, e cila humbi vajzën dhe bashkëshortin në tërmetin e 26 nëntorit.
Partia Demokratike, denoncoi pak ditë më parë se Mnajolës i është komunikuar se nuk i takonte pension pasi nga tërmeti familja e saj kishte humbur dy persona.
Në një video të publikuar ditën e sotme, Rama i përgjigjet PD, duke thënë se Manjolës e të birit i është dhuruar një shtëpi nga Bashkia Kamëz dhe se Alesio përfiton edhe pension.
Rama thotë se publikimin e historisë së saj e ka përjetuar me shumë keqardhje dhe akuzon opozitën se po i përdorin.
“Në rastin konkret e kam përjetuar me shumë keqardhje dhe me një ndjesi neverie siç ju thashë abuzimin me të ëmën e Alesios, e cila është një nënë dhe një grua e lënduar psikologjikisht, shpirtërisht nga një tragjedi që nuk kalon kurrësesi pa lënë gjurmë, ndërkohë që mendoj se etika e medias dhe për më tepër e politikës duhet ta ndalojë hedhjen e nxituar të hapave të tillë për të konsumuar në publik njësoj si një një restorant, klub, apo mjedis ku hahet mish, mishëngrënien e njerëzve në nevojë, njerëzve në sekëlldi, të traumatizuar dhe duhet t’i referohet fakteve.
Do të ishte shumë njerëzore, e lavdërueshme që pa e abuzuar, konsumuar dhunuar imazhin fizik, praninë fizike në tregun e gjësë së gjallë mediatik dhe politik të hulumtoheshin faktet nëse unë dhe qeveria i kemi braktisur, apo ju kemi qëndruar pranë, jo vetëm Manjolës dhe Alesios por të gjitha familjeve, qofshin ata që humbën njerëz, apo ata që humbën pasuri. Nëse keni fakte referojuni dokumenteve që tregojnë referimin në publik të diçkaje që kemi marrë përsipër, atëherë nuk do ishte nevoja të arrihej deri këtu.
Neveritem kur shoh se si hiena, që e ka vendin në kategorinë më të ulët të kafshëve të pyllit, shfaqet në formën e personit publik, logos mediatike, kostumit partiak dhe ha mish njeriu, duke i ftuar të gjithë në një orgji mishi dhe dehje me demek atë ndjenjën e solidaritetit dhe keqardhjes. Ky nuk është as solidaritet, as keqardhje, por shpërdorim, abuzim dhe rrënim i njerëzve”,- thotë Rama. g.v/abcnews.al