Rama i jep medaljen “Ylli i Mirënjohjes Publike” kampionit të karatesë në Lojërat Europiane Alvin Kariqi

schedule10:46 - 31 Tetor, 2023

schedule 10:46 - 31 Tetor, 2023

TIRANË– Kampioni i karatesë në Lojërat Europiane Alvin Kariqi është nderuar këtë të martë me medaljen “Ylli i Mirënjohjes Publike”. Në ceremoni ishte i pranishëm edhe kryeministri i vendit Edi Rama, i cili tha se Alvini është shembull për t’u ndjekur nga të gjithë të apasionuarit e sportit.

“Një kampin që ka një veçanti, në ndërkohë që arrin të ngjitet në majë të kompeticionit të vështirë dhe sfidues ndërkombëtarët në sportin e tij është dhe një shërbëtor i përditshëm dhe i palodhur i njerëzve si mjek në Zvicër, ku standardet janë më të larta në botë.  Jeton, merr frymë, ushqehet me idenë e ngjitjes së majës dhe me ndjenjën e të qenit fitimtar”, tha ai.

Shefi i qeverisë theksoi se kjo ceremoni duhet të shërbejë si shembull frymëzimi për të gjithë ata sportistë, të cilët duan të ushqejnë pasionin e tyre.

“Ne e bëjmë këtë ceremoni për t’i shprehur mirënjohjen kampionëve, por edhe për ti dhënë mundësinë të gjithë të tjerëve të marrin sadopak  nga shembulli i tyre, Të marrin sadopak nga forca e tyre, besimit, vullnetit, e gatishmërisë për të tejkaluar çdo vështirësi, sepse deri tek momenti kur ngrihet flamuri dhe këndohet himni nuk është thjesht ajo që ne të tjerët shohim në zhvillimin e një kompeticionit, por është një histori e tërë që askush nuk e she, përveç atij që e bë, që fillon që nga zgjimet pa u gdhirë dhe mbaron çdo darkë me gatishmërinë për tu zgjuar përsëri pa u gdhirë”, theksoi kryeministri Edi Rama.

Gjatë fjalës së tij, kryeministri Rama u shpreh se Shqipëria e ka lënë pas “harresën” për sportistët, të cilët shpeshherë janë detyruar të ndërrojnë flamurin dhe të përfaqësojnë shtete të tjera për shkak të pamundësive që kishin në Shqipëri.  Sipas tij, falë investimeve është përmirësuar imazhi i sportit në vendin tonë.

“Shqipëria e vogël, që nuk është ndër vendet e vogla u ofron kampionëve një mbështetje që pak vende e kanë, sidomos në këto sport, që nuk hyn në industritë e mëdha, siç është futbolli. Ne kemi sot sportistë që vijnë nga të tjera vende dhe që zgjedhin Shqipërinë si atdheun e tyre të dytë dhe ngrenë flamurin tonë kombëtar, sepse këtu ata përfitojnë nga këto kushte të reja të krijuar dhe nga ky kuadër i ri i mbështetjes”, theksoi kryeministri Rama.

Gjatë fjalës së tij, kampioni i karatesë u shfaq i emocionuar, ndërsa falënderoi të gjithë ata persona që i qëndrojnë pranë sportistëve të të gjitha disiplinave.

“Kjo medalje po të ishte picë, do ta ndaja me të gjithë. Ju kam në zemër të gjithëve. Faleminderit për mbështetjen që keni dhënë për sportin. Faleminderit që ju po jepni ndihmë për sportin”, tha ai./ n.m.abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!