Rama: Faleminderit CDU/CSU e Merkel, Basha: Kushtet reflektojnë dështimet e qeverisë

schedule22:24 - 24 Shtator, 2019

schedule 22:24 - 24 Shtator, 2019

Kryeministri Rama falenderoi deputetët gjermanë dhe kancelaren Angela Merkel për këtë vendim për Shqipërinë. Ndërsa kreu opozitar Lulzim Basha, përveç falenderimit i komentoi kushtet e deputetëve gjermanë si dështim të qeverisë Rama.

Kryeministri  Rama është falenderues për të gjithë deputetët e koalicionit qeverisë në Gjermani, pas votës së tyre pro hapjes së negociatave mes Shqipërisë dhe BE.

“LAJM I MIRË! Faleminderit të gjithë deputetët e CDU/CSU që më në fund votuan pro hapjes së negociatave. Ata qe votuan KUNDËR do t’i bindim në çdo hap me fakte se Shqipëria e meriton hapjen e negociatave”.

Një falenderim të veçantë shefi i qeverisë shqiptare e përcjell për kancelaren Merkel.

“Faleminderit  Angela për mbështetjen e pakursyer për Shqipërinë”.

Edhe kreu demokrat Basha u shprehu mirënjohjen ligjvënësve gjermanë, në veçanti partive simotra CDU-CSU, por sipas tij shtimi i kushteve dhe kërkesave për zgjidhjen e krizës politike shprehin shqetësimin e sinqertë për hapat mbrapa që ka shënuar Shqipëria që nga qershori 2018.

“Këto kushte dhe kërkesa reflektojnë dështimet e qeverisë dhe jo të popullit shqiptar. Në veçanti kërkesat e reja për arrestimin dhe proçedimin penal të personave të përfshirë në blerjen e votave dhe kërkesa për të vendosur mbi legjitimitetin e proçesit farsë të 30 qershorit reflektojnë qartë se dështimi dhe përgjegjësia për moshapjen e negociatave është e Edi Ramës dhe askujt tjetër”.

Në emër të Partisë Demokratike dhe të Opozitës së Bashkuar, Basha garanton të gjithë shqiptarët dhe partnerët se do të bëjë gjithçka që vendit tonë t’i hapen negociatat sa më parë. /ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!