Rama: Ende nuk jemi gati për në BE

schedule23:45 - 16 Qershor, 2019

schedule 23:45 - 16 Qershor, 2019

“Qëllimi kryesor kombëtar i Shqipërisë është të bashkohet me Bashkimin Evropian, por kryeministri Edi Rama nuk mendon se vendi është gati për anëtarësim, pjesërisht për shkak se institucionet e tij politike janë parë si të pazhvilluara”, kështu nis shkrimi i botuar sot në “Al Jazeera”. Në një intervistë për këtë televizion, kryeministri Rama thekson se shqetësim mbetet krimi i organizuar, fenomen për të cilin theksoi se qeveria ka vullnet për ta luftuar.

“Unë mendoj se Shqipëria ka një problem me krimin e organizuar dhe korrupsionin si çdo vend që ende nuk është një shtet modern dhe funksional. Kjo është arsyeja pse ne jemi në këtë proces, prandaj nuk jemi anëtarë të BE-së, prandaj nuk po pretendoj se është një padrejtësi që ne nuk jemi anëtarë sot. Ne duhet të përgatitemi, ne duhet të modernizohemi. Të luftosh korrupsionin dhe krimin e organizuar duhet vullnet shumë i fortë, institucione shumë të forta dhe mekanizma shumë të fuqishëm që duhet funksionojnë në çdo drejtim. Kur e kthej kokën 5 vjet e gjysmë pas dhe shoh nga kemi ardhur, kemi bërë gjëra domethënëse. Por kur shoh përpara, ku duam të shkojmë dhe ku dua ta çoj vendin, ka shumë për të bërë.”

 Kryeministri u pyet edhe për zgjedhjet e 30 Qershorit. Ai theksoi se shtyrja e tyre do të minonte procesin.

“Zgjedhjet nuk bëhen për politikanët që të vendosin, por për njerëzit që të vendosin për politikanët. Çlirimi i këtij gjykimi ose transformimi i këtij elementi shumë themelor i jetës sonë demokratike, do të thotë të shkosh në një drejtim që është jo për ardhmen tonë, është një e kaluar.”

Po në “Al Jazeera”, ka dhënë një intervistë edhe Presidenti Meta. Ndryshe nga kryeministri Rama, ai deklaron se nuk do të ketë zgjedhje më 30 Qershor. Për të zgjidhur krizën, Meta shpreson, që kryeministri Rama së bashku me liderët e tjerë politikë të ulen në presidencë për të arritur marrëveshjen.

“Shpresoj që zoti Rama të vijë këtu së bashku me udhëheqësit e tjerë për të bërë një marrëveshje që do ta ndihmonte vendin jo vetëm për të shmangur këtë klimë përçarëse, por edhe do të ndihmonte vendin t’i demonstronte Bashkimit Europian dhe të gjithë partnerëve të tjerë maturinë e duhur dhe se ne jemi një vend që i kemi përmirësuar standardet demokratike dhe jo që i kemi përkeqësuar ato.”

Sipas tij, kjo do të ndihmonte vendin në rrugën europiane.

Tv Klan