Rama-Edmond Budinës: Nuk të takon të fyesh, s’kam lidhje me punët e zeza që më akuzoni

schedule14:31 - 17 Maj, 2020

schedule 14:31 - 17 Maj, 2020

Kryeministri Edi Rama i është drejtuar me një mesazh publik regjisorit Edmond Budina. Në një postim në Twitter, Rama i drejtohet Budinës duke i thënë se ka të drejtë të mendojë ndryshe nga artistët e tjerë që ishin pro shembjes së Teatrit Kombëtar.

Mirëpo, siç thotë Rama nuk i takon të fyejë apo shpifë, si partitë opozitare.

LEXO EDHE: Budina thirrje Presidentit: Sot u vendos diktatura, të shpërndahet Parlamenti

“Dy fjalë njeriut të mirë Edmond Budina: Je në të drejtën tënde të vazhdosh të mendosh ndryshe nga Robert Ndrenika,Luftar Paja, Gëzim Kame,Viktor Zhusti,Ruzhdi Pulaha,Pirro Milkani,Albert Minga, Altin Basha e plot të tjerë,që janë historia e vjetër dhe e re e skenës kombëtare…

Je në të drejtën tënde të mendosh njësoj si partitë e atyre që s’kanë ngulur një gozhdë për artin, kulturën, teatrin e donin ta kthenin edhe TK në zgjatim të politikës së tyre me bishtin kular në këmbët e Shqipërisë, ku çdo punë e jona përbaltet me fjalorin ekstrem të vulgaritetit.

Por ty nuk të takon të shash, fyesh e shpifësh njësoj si ata e as nuk ke të drejtë t’i imponohesh vullnetit të qeverisë, bashkisë apo shumicës së komunitetit teatror, sepse sharjet e fyerjet s’janë art, shpifjet s’janë trashëgimi kulturore dhe demokracia nuk është teatër absurd…

Unë s’jam as shenjt e as i pagabueshëm dhe nuk ndal dot askënd të më pikturojë si djall, por unë kam lidhje autorësie me punët e zeza që më akuzoni, po aq sa ç’kanë lidhje me Shekspirin dhe Molierin ato partitë që u ngulën tek teatri si në sheshin e radhës për përsheshin e radhës!”, shkruan Rama. /abcnews.al