Rama edhe ministër i Jashtëm, Meta: Do të vendos brenda 7 ditësh

schedule13:26 - 15 Janar, 2019

schedule 13:26 - 15 Janar, 2019

Presidenti i Republikës do t’i japë një përgjigje brenda 7 ditëve kërkesës së kryeministrit për të drejtuar edhe Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme. Në intervistën e tij për emisionin “Opinion”, Presidenti Meta ka folur edhe lidhur me zhvillimet e fundit politike e përplasjet mes tij dhe Kryeministrit Rama për çështjen e Ministrit të Jashtëm.

Është në dijeni të vetëpropozimit të kryeministrit për të marrë detyrën e ministrit të Jashtëm por nuk sheh arsye të ngutet për t’i dhënë përgjigje.

“Më duhet pak kohë, por në çdo rast më pak se 7 ditë”.

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, në emisionin opinion të gazetarit Blendi Fevziu  në televizionin Klan nuk pranon të thotë as po e as jo për kandiatin e radhës për postin e ministrit të Jashtëm, ajo për të cilën shprehet i bindur është se Gent Cakajt nuk mund t’i besojë detyrën e ministrit të Jashtëm.

“Për një njeri që shkel ligjin: gjashtë muaj zëvendësministër, nuk merr certifikatat e sigurisë, nuk mund ta kuptoj dot se si mund të promovohet! Mirë që nuk shkarkohet… E ka pasur detyrim ai këtë gjë dhe e ka detyrë çdo zëvendësministër i Jashtëm që tëpajiset me këto çertifikata të sigurisë. E ka pasur edhe pjesë të punës së tij, sepse e ka pasur pjesë të punës së tij me Bashkimin Europian. Kështu që kjo nuk ka asnjë justifikim”.

Kjo nuk do të thotë se është kundër emërimit të Gent Cakajt si ministër në qeverinë Rama se është shtetas i Kosovës.

“Zero, por unë nuk kam refuzuar Veton Surroin, nuk kam refuzuar as Hasan Prishtinën, më vjen keq dhe jo vetëm kaq, por unë i kam thënë kryeministrit në takimin paraprak, se kam dashur ta shmang këtë debat”.

Madje është i gatshëm ta dekretojë si të parin e një tjetër ministrie tjetër si ajo e Kulturës për shembull.

“Po, patjetër, sepse për mua një post tjetër nuk është i një rrezikshmërie të tillë siç mund të jetë në postin e Ministrit të Jashtëm, sepse një ministër i Jashtëm mund të hedhë një firmë dhe një shtet mund të përfundojë për dekada të tëra në gjykata zotëri. Dhe pastaj Presidenti do t’ia linin fajin, do thoshin ai e dekretoi, nuk kemi ne përgjegjësi. Presidentit do t’ia linin përgjegjësinë prapë”.

Kryeministri Rama e akuzoi se ka shkelur afatet kushtetuese duke mos e çdekretuar ministrin e Jashtëm. Por këto komente thotë se e argëtojnë Presidentin Meta, pavarësisht kësaj nuk pranon të ketë asnjë shkelje të afatit në kundërshtimin me Kushtetutën.

“Dhe përsa i takon çështjes së dekretimit, dua të sqaroj se lidhur me afatet ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese në të kaluarën, në rastin kur Kuvendi nuk ka respektuar afatin e 10 ditëve për t’u shprehur për dekretetet e Presidentit me propozim të kryeministrit, e ka bërë të qartë se kur nuk ka pasoja nga tejkalimi i afatit, nuk ka problem”.

Nuk sheh të sjellë pasojë mosdekretimi i ministrit Ditmir Bushati. E kundërta është shqetësuese për kryetarin e shtetit.

“Pasojë mund të kishte në rast se unë do ta kisha shkarkuar zotin Bushati dhe në krye të MEPJ-së për momentin do të kishim një situatë kur do të kishim një zëvendësministër, i cili nuk do të kishte përgjegjësi të plota kushtetuese për këtë institucion aq të rëndësishëm të sigurisë kombëtare gjithashtu”.

Nuk i trembet as paralajmërimeve të institucionit të kryeministrisë se ndëshkimin e merituar të kësaj sjelljeje do ta marrë nga Gjykata Kushtetuese, kur të ngrihet.

“Së pari, neni 98 pika 1, ministri emërohet dhe shkarkohet nga Presidenti i Republikës me propozim të Kryeministrit brenda shtatë ditëve. Dy, dekretet, pra dekreti i Presidentit shqyrtohet brenda dhjetë ditëve nga Kuvendi.

kjo është tërësisht absurde dhe tregon qartë që kemi për fat të keq politikanë, të cilët duhet të tregonin përgjegjësi të larta shtetërore, madje edhe kombëtare, sepse bëhet fjalë për një post jashtëzakonisht të rëndësishëm, dhe që e shikojnë edhe Gjykatën Kushtetuese si një komision të garancive statutore në një parti të caktuar”.

Gjithçka po ndodh është vetëm për t’i treguar institucioneve të tjera se presidenca është një filtër kushtetues e jo një procedurë rutinë e kërkesave të kryeministrit. Kjo nuk do të thotë se marrëdhënia mes tij e kreut të qeverisë është tensionuar-thotë presidenti Meta.

“Për mua nuk ekziston asnjë problem personal. Problemi është që zoti Rama nuk i respekton dot institucionet. Për të, çdo gjë që i pëlqen është kushtetuese dhe e ligjshme. Çdo gjë që nuk i pëlqen është anti-kushtetuese dhe e paligjshme”.

Duke nxjerrë në pah të shkuarën se nga vjen, kreu i shtetit nuk i fsheh ndjesitë për ish-aleatin e tij.

“Prisnim të përmirësohej. Tani, rastet e fundit flasin për përkeqësim për fat të keq”./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!