Kreu i qeverisë Edi Rama ka deklaruar se ka dy skenarë për fatin e Ilir Metës pas zgjedhjeve të 25 Prillit. Rama deklaroi në Open, se skenari i parë është që Ilir Meta të dorëhiqet pasi sipas tij PS do fitojë, dhe skenari i dytë është rinisja e procedurave për shkarkimin e tij nga posti i presidentit.
“Ne nisëm procesin e shkarkimit dhe pastaj pati një opinion të Komisionit të Venecias. Ka tre gjëra. E para, Ilir Meta nuk do të bëjë asgjë tjetër përveç asaj që duhet të bëjnë të gjithë pas orës 12, heshtje zgjedhore. Duhet t’i japim mundësi njerëzve sot të ndajnë mendjen që të shkojnë të votojnë. Të numërohen votat e tyre dhe të dalë rezultati. Presidenti një personazh tragji-komik që përbetohet që do të jetë me sfurqe dhe lopata.
Ka dy skenarë, njëri është që Ilir Meta që përbetohet që është burrë që mban fjalën të japë dorëheqjen se rezultati do flasë vet, dhe skenari tjetër është të nisim procedurat për shkarkimin e Ilir Metës për arsye të degjenerimit që i ka bërë figurës së presidentit. Kush nuk e ka ndjekur këtë proces do mendojë se kemi të bëjmë me spital dhe jo me politikë. Këtu nuk flasim për dekret por për një përfshirje brutale në procesin zgjedhor, nxitje për dhunë”, deklaroi Rama.
Kryeministri sqaroi edhe njëherë se nëse PS nuk merr 71 mandate nuk do të jetë më pas kryetar i PS dhe as deputet, por do të largohet nga politika.
“Aty mund të jem kujdestar për një fazë. As kryeministër, as deputet, as analist. Një kryetar organizate në Surrel mund ta bëja sepse në PS do të jem derisa të kem frymën dhe PS do t’i shërbej me ato që di e mundem. Kam dhe një jetë të tretë unë, kjo është e dyta”, tha Rama./mv.abcnews.al

